"Nuk ke të drejtë të hash bukë këtu" Prindi denoncon përjashtimin e vajzave nga konvikti

Hajri Doku nga Peshkopia pretendon se dy vajzat e tij gjimnaziste, janë përjashtuar në mënyrë të padrejtë nga konvikti i shkollave ku ato studiojnë.

Sipas Dokut, gjithçka ka nisur javën e kaluar, kur vajzat janë paraqitur në Spital me shenja helmimi, ndërsa mjekët i kanë deklaruar si të infektuara me koronavirus, por një ditë më vonë pas analizave në DSHP Peshkopi ato rezultuan negative.

Të dy shkollat njohën testet negative dhe i pranuan vajzat në mësim, ndërsa drejtoresha e Konviktit Jonida Pershaku, sipas prindit i refuzoi ato.

"Më thotë mua duhet të vish të marrësh vajzat patjetër se unë kam testet pozitiv dhe nuk e pranojnë. Duhet të vish të marrësh vajzat në shtëpi se do ti nxjerrë jashtë. Unë i thashë ti vajzat nuk i nxjerrë dot jashtë se ato kanë një prind."

Situata ka agravuar në mbrëmjen e së hënës së kësaj jave, kur është dashur ndërhyrja e policisë.

"Kur ka ardhur puna e bukës i kanë thënë vajzës time ti nuk ke të drejtë të hash bukë këtu në mensë, prandaj largohu. Ato janë acaruar dhe më pas kanë marrë policinë."

Në një vendim që Doku e quan të padrejtë, denoncon drejtoreshën e konviktit se i ka përjashtuar vajzat e tij pa të drejtë dhe për arsye politike.

"Për një javë vajzat do të merrnin pushim. Ajo më thotë vajzat janë përjashtuar totalisht nga konvikti. Kjo është totalisht politike".

Ora News kontaktoi edhe drejtoreshën e Konviktit në Peshkopi, por ajo refuzoi të përgjigjej në lidhje me këtë çështje.