"Siguroni mbrojtjen e gazetarëve", MFRR reagon për databazën dhe dhunimin e gazetarëve të Ora News

Tetë organizata ndërkombëtare, përmes një letre janë shprehur të alarmuar nga veprimet e fundit të cilat targetojnë punonjësit e mediave dhe burimet e gazetarëve në Shqipëri.

Letra i adresohet, kryeministrit Edi Rama, kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndërsa për përmbajtjen e saj janë vënë në dijeni Olivér Várhelyi, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Věra Jourová, Komisioni Evropian, Zëvendëspresidente për Vlera dhe Transparencë; Dunja Mijatovic, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut; Irene Khan, Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes ; Teresa Ribeiro, Përfaqësuese e OSBE-së në Lirinë e Mediave

Në letër ngrihet shqetësimi me një urdhër të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e serverave të pasi publikoi ekzistencën e një databazë të PS me anë të së cilës mblidheshin afër 1 milionë të dhëna personale të qytetarëve.

“Mbrojtja e burimit të informacionit përbën një bazë jetike për sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe pluralist mediatik dhe kërkon angazhim proaktiv nga të gjitha strukturat shtetërore për të siguruar që ato të mbrohen.

Çdo veprim që targeton burimet ose kërcënon gazetarët mund të dekurajojë të tjerët që të flasin dhe të ndajnë informacione.

Këshilli i Evropës, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria, ka sqaruar përmes disa rasteve gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut se burimet e gazetarëve janë të mbrojtura. Ky incident i fundit është në kundërshtim të plotë me këto parime”.

Letra vijon duke ngritur alarmin e dhunës dhe intimidimit ndaj gazetarëve të Rtv Ora dhe Ora News, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe truprojave të tij.

"Ka pasur një seri kërcënimesh alarmuese ku gazetarët dhe punonjësit e medias janë penguar me forcë për të pasur qasje tek zyrtarët publikë, sidomos tek Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më 12 prill 2021, Isa Myzyraj, një gazetar i Ora News u tërhoq zvarrë nga rojet e sigurisë së kryetarit të cilët i ushtruan presion fizik kur ai u afrua për të kërkuar komente në lidhje me ndërtimet dhe zhvillimet në Tiranë. Pa kaluar as një javë e plotë nga ky incident, puna e një ekipi tjetër të punonjësve të Ora News u ndalua me forcë nga një grup prej më shumë se 40 mbështetës të kryebashkiakut të Tiranës.

Pamjet tregojnë gazetarin e Ora News Ronaldo Sharka, i cili perplaset kundër një objekti, por edhe mbështetësit e tjerë të cilët ndërhyjnë në punën e xhiruesit të Ora News".

Më tej 8 organizatat bëjnë thirrje për nisjen e menjëhershme të hetimeve ndaj zotit Veliaj.


“Në një kohë kur raportimi i pavarur, i paanshëm dhe faktik është më i nevojshëm se kurrë, MFRR bën thirrje për një kundërshtim publik ndaj tyre, por edhe fillimin e një hetimi të mirëfilltë dhe të pavarur për të siguruar që ata që ndodhen pas këtyre incidenteve të mbahen përgjegjës. Kjo duhet përfshirë Erion Veliaj dhe rojet e tij të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet që kjo nuk do të ndodhë më.”