Ambasadorja suedeze në RTV Ora: Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë përcaktuese për negociatat

Ambasadorja suedeze në Shqipëri, Elsa Hastad në një intervistë për gazetarin e RTV Ora, Xhoi Malësia u shpreh se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë përcaktuese për vendin tonë.

Sipas ambasadores, nëse çdo gjë do të shkojë mirë, këto zgjedhje do të jenë një sinjal shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare.

Zonja Ambasadore, jemi vetëm pak ditë larg zgjedhjeve tona parlamentare të 25 Prillit. Do doja të dija se cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë proces. Ju keni dërguar shumë mesazhe për politikanët. A i kanë kuptuar ata siç duhet ato?

E: Unë nuk mund ta di se kush i kupton mesazhet, por për mua gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të përdorin të drejtën e tyre për të votuar. E sidomos për të rinjtë, që duhet të dalin e të votojnë. Besoj se është si përgjegjësi edhe detyrim ashtu edhe një mundësi për të bërë një zgjedhje për të ardhmen e vendit tënd. Unë gjithashtu shpresoj se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Shpresoj që çdo gjë të funksionojë pasi është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që t’i tregojë Evropës dhe botës se është e aftë që të bëjë një proces të mirë. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ndodh në një demokraci.

A do të jenë këto zgjedhje përcaktuese për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në?

E: Po mendoj se do të jenë përcaktuese, pasi nëse çdo gjë do të shkojë mirë, në mënyrën që ne presim të shkojë, do të jetë një sinjal shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare. Pra, do të tregohet se Shqipëria është padyshim gati për të hapur procesin negociator. Mendoj se procesi është tejet i rëndësishëm. Komisioni Evropian rekomandoi tre vite më parë se Shqipëria është gati të nisë negociatat.