Deklaratat e ambasadorëve dhe OSBE, Veliu: Kemi nevojë për mbështetje dhe jo për frustrim e intimidim
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka folur në lidhje me thirrjet e OSBE-së dhe Ambasadave, të cilat kanë kërkuar që të nisin hetimet në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Gjatë një konference për shtyp, Veliu thotë se policia po bën të pamundurën për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Ai shton se në këto momente policia ka nevojë për mbështetje dhe jo për stres.
Pyetja: OSBE dhe Ambasadat kanë varur shpresat tek ju dhe tek prokuroria? Kishit ju informacione më parë?
Veliu: Grupi hetimor është këtu, po punojmë me të gjitha kapacitetet dhe forcat në terren, po bëjmë punën për kapjen e personave që janë shpallur në këkrim. Shpresojmë që me punën që do të bëhet pse jo edhe këta persona të përgjigjen për atë që prokuroria dyshon për ta. Policia është e angazhuar, ne i kemi të gjitha kapacitetet. Policia s’ka nevojë për frustrim dhe stres, por për mbështetje. Nuk kemi nevojë për intimidim.Policia e Shtetit është një nga hallkat e hetimit dhe çdo detyrë që do të na vijë nga prokuroria do të veprohet me shpejtësinë maksimale.

