Gjici, tender pa garë për ujin, Open Data e ka shoqëruar procedurën me flamur të kuq
Bashkia e Kukësit nën drejtimin e Safet Gjicit ka shënuar tenderin e radhës ku konkurentët janë skualifikuar dhe kontrata i është dhënë kompanisë që ofertoi më shumë. Tenderi për furnizimin me ujë të qytetit të Kukësit është shoqëruar me flamur të kuq edhe nga Open Data.
Mënyra e përzgjedhjes së fituesit në tenderat publikë duke shmangur konkurrencën, janë kthyer në një fenomen shqetësues për menaxhimin e fondeve nga buxheti i shtetit.
Një rast i tillë është regjistruar së fundmi në Bashkinë e Kukësit, të drejtuar nga Safet Gjici, pa garë dhe duke shpallur fitues ofertën më të lartë.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, në datën 13 prill, vetëm dy javë para zgjedhjeve, ky institucion ka shpallur njoftimin e fituesit për furnizimin me ujë të qytetit të Kukësit.
Në procedurën me fond limit 254.9 milionë lekë rezultojnë pjesëmarrëse tre kompani, dy prej të cilave janë përjashtuar.
Çuditërisht kompania “KMK shpk” edhe pse ka vendosur të përfshihet në garë nuk ka paraqitur as ofertë dhe as një dokument tjetër e kjo i ka sjellë në mënyrë automatike skualifikim.
Ndërkohë, një bashkim operatorësh me ofertë më të ulët u përjashtua nga institucioni nën drejtimin e Gjicit me argumentin se nuk plotësonte disa kërkesa të tenderit.
Bilbao “ndëshkohet”, nuk do të presë Euro 2021
22 Prill, 14:42
Në këtë mënyrë i vetmi i mbetur në procedurë e automatikisht i shpallur më pas edhe fituesi është subjekti “Curri shpk”.
Ky i fundit kishte paraqitur ofertën 254.7 milionë lekë, vlerë kjo thuajse e barabartë me fondin limit.
Ndërkohë që diferenca mes fituesit dhe bashkimit të operatorëve të skualifikuar arrin në rreth 10 milionë lekë.
Edhe ky prokurim është shoqëruar nga Open Data me flamurin e kuq duke ngritur shqetësimin për skualifikimin e të gjithë kompanive përveç fituesit.
Këto procedura janë ngritur vazhdimisht si shqetësim në media dhe kritikuar nga institucionet monitoruese, por ende nuk ka ndonjë hetim apo verifikim të nisur as nga KLSH as nga SPAK.



