"Tempora" troket në zyrën elektorale të Flutura Açkës, bashkëpunëtorët: Në vendin dhe kohën e duhur, do ta nxjerrim fituese

Thuhet se përkushtimi ndaj të vërtetës është thelbi i moralit dhe nuk ka formë më fisnike dhe më të lartë të përkushtimit sesa të mbash përgjegjësinë për atë që thua dhe mendon.

E ku më mirë se një njeri i letrave, një intelektual që hyn me këtë përgjegjësi në politikën shqiptare.

Ajo vjen nga Elbasani, një epiqendër e rëndësishme e kulturës dhe arsimit, i gjithi histori, por mund të kthehet edhe në simbolin e qytetit që mund të sjellë përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit.

Emisioni "Tempora" në Rtv Ora ndoqi rrugëtimin politik të autores, shkrimtares dhe sipërmarrëses Flutura Açka.

Ndalesën e parë gazetarja Sonila Meço e bëri në rrugën e blirëve, aty ku ndodhet edhe zyra elektorale e Açkës që prej një muaj e gjysmë është kthyer në "shtëpinë" e saj, zemra e fushatës.

"Këtu nis dita ime. Në këtë zyrë mblidhen tre gjenerata. Dera është e hapur aq sa na lë ora policore. Kur mbyllim derën fillojnë skalionet e bandave që ne nuk i shohim, që janë me makina të zeza që na gjurmojnë ne për natë, që na kontrollojnë. Por duke na parë aq aktiv, që jetojmë me fitoren, kam përshtypjen se janë tulatur dhe do të tulaten dhe në 25 prill do të triumfojë vota e qytetarëve. Nuk ka pasur ndonjëherë përshtypjen se politika është një "shtrigë e zezë", e di që përceptimi i shqiptarëve është i keq, edhe unë kam protestuar kundër politikës por kundër politikës së keqe. Çështja është a mundet që këtë "shtrigën e zezë" ta kthejmë në një nuse të bukur? Unë do të bëj detyrën time dhe them se do t'ja dalim. Në këtë muaj e gjysmë më janë hapur qindra dyer dhe jam refuzuar vetëm në 10 dyer" tregon Flutura Açka.

Brenda zyrës elektorale gjen tre gjenerata të PD. Të gjithë bien dakord se Flutura Açka dhe pse jo me një profil të lartë politik, është në vendin e duhur dhe kohën e duhur.

"Zonja Flutura është shkrimtare por ka ardhur ne vendin e duhur dhe kohën e duhur. Flutura Açka është një yll që ndriçon natën dhe një diell për njerëzimin. Pas saj janë pedagogë dhe intelektualë. Duhet të punojmë të gjithë natë dhe ditë por edhe të mbrojmë votat" thotë një i moshuar me origjinë nga Çamëria por lindur dhe rritur në Elbasan.

"Kam një jetë në PD, pjesëmarrëse në çdo fushatë. Fluturës i jam bashkuar sepse erdhi në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Në kohën që ju desh këtij qyteti për ta personifikuar me njeriun e duhur. Është personifikim ideal i qytetit tonë, njeri i kulturës, i fjalës, i nderit dhe besnikërisë. E ndjej veten të privilegjuar të jem në shtabin e Fluturës, të kontribuoj për të, të mbroj votat e saj dhe ta kemi Fluturën si një zëdhënëse të zërit tonë të pastër në parlament.I kam thënë shpesh, do të më vinte mirë që Flutura të mbetej kjo që është, e mirë, e thjeshtë, që të mos manipulohet nga politika" thotë një tjetër.

"Do ta nxjerrim  fituese. Kam qenë skeptik fillimisht për Fluturën, sepse kam pasur idenë që ata që kanë dhënë kontribute dhe kanë qenë qëndrestarë duhet të ishin kandidatë për deputet. Por u binda plotësisht se e meriton. Besoj se nuk do ti bashkangjitet me servilizëm kryetarit apo drejtuesit e tjerë të PD. Elektorati gri besoj se janë të vendosur, sepse aftësia dhe profili i saj janë shumë domethënës dhe kontribues për demokracinë" shprehet një tjetër anëtar nga shtabi.

"Kultura dhe ligji do të fitojnë, pas datës 25 prill çdo gjë do të shkojë në vendin e vet" thotë një tjetër zotëri që ka bindjen se Elbasani do të çlirohet nga damka si një qytet problematik dhe objekt i kronikave të zeza në media.