Parashikimi i motit, trampolinë për vajzat drejt botës së televizionit

Duket se është një ligj i pashkruar i mediave që parashikimi i motit të vijë te publiku nëpërmjet një vajze.

Shumë vajza e përdorin si një trampolinë për t'u futur në televizion.

Të ftuar në studion e RTV Ora, në Emisionin Ditë e Re, prezantuesja e motit Feride Kuqi, Fjoralba Dizdari dhe drejtuesja e zyrës operacionale MeteoAlb Lajda Porja tregojnë për vështirësinë që ka prezantimi i motit dhe mundësinë që i ka dhënë vajzave për t'u futur në botën e televizionit.

Mund të duket si një punë e thjeshtë, por drejtuesja e zyrës operacionale MeteoAlb, Lajda Porja na shpjegon se në të vërtetë është një punë e vështirë, pasi duhet të jesh e mirë-informuar në terma

"Është e vështirë të prezantosh motin, është specifikë më vete, është ndryshe nëse starton në një televizion qoftë gazetar ose jo gazetar dhe ndryshe të prezantosh motin. E para, ka terma teknikë, që ta prezantosh siç duhet, së pari duhet ta mësosh vetë.

I rëndësishëm është informacioni, së pari duhet të dish termat që ti po flet, nuk duhet thjesht të dish gjeografinë.

Idealja është që parashikimi i motit të parashikohet nga specialistë. Por ka plot televizione, qoftë në Europë apo botë që kanë vajza të cilat kanë një profesion tjetër dhe prezantojnë motin," shprehet Lajda Porja.

Prezantuesja e motit në Radio Televizionin Ora prej 3 vitesh, Feride Kuqi thotë se moti është një eksperiencë e bukur të cilën tani e bën me shumë pasion.

"Kur e kam filluar motin provat kanë qenë shumë intensive dhe gjithashtu ka qenë një punë e vështirë.

Tani edhe pse mund të jem shkëputur, motin nuk e kam lënë sepse kam punuar fort dhe e dua . Tani më është bërë një pjesë e imja, me kalimin e kohës bëhet shumë e thjeshtë dhe për ne," thotë Feride.

Fjoralba Dizdari, prezantuesja e motit thotë se karriera e saj në televizion ka nisur me prezantimin e motit.

"Unë nuk kisha pasur më parë rast të isha në televizion, kisha qenë e ftuar nëpër televizione por që të bëja diçka në ekran ishte shumë interesante.

Kur dola për herë të parë për mua ka qenë e vështirë, sepse nuk e ndieja veten aty ku duhet të isha. Termat teknikë ishin më të vështirët.

Hapi i parë, në qoftë se do të bësh një karrierë televizive, gjëja më e vogël që të mësohesh me kamerën është të bësh prezantimin e motit. Në vende të tjera të botës quhet punë e mirëfilltë," thotë Fjoralba.

Parashikimi i motit mbeten një mundësi e mirë për të gjitha vajzat të cilat duan të bëhen pjesë e televizionit.