U arratis nga komisariati, kapet Riljon Lala, policia zbuloi banesën ku ishte fshehur

Përfundon arratia e Riljon Lalës. 30-vjeçari, i cili u arratis nga komisariati nr 1 mëngjesin e 4 janarit, është arrestuar sot nga policia.

Burime për Ora News bëjnë me dije se ai është ndaluar pasditen e sotme nën zonën e Ali Demit ku qëndronte në një banesë me qira të marrë që prej arratisjes nga ambientet e komisariatit.

 Lala u arratis në mënyrë spektakolare nga ambientet e komisariatit nr.1 në Tiranë më 4 janar duke rrahur policët brenda zyrave të shtetit.

Dy efektivat e policisë që po shoqëronin të ndaluarin me armë pa leje janë Mynyr Xhelili dhe Mustafa Baci, punonjës të komisariatit nr.1. Ditën e ngjarjes, në 4 janar 2021, sipas hetimeve ata janë dhunuar fizikisht nga i arrestuari për armëmbajtje pa leje, Riljon Lala.

 Pas hetimeve në lidhje me arratisjen Xhelili dhe Baci janë dërguar nga SHÇBA-ja për ndjekje penale në prokurorinë e Tiranës, me dyshimin se kanë abuzuar me detyrën, duke lejuar një person të arrestuar dhe të rrezikshëm që të arratiset.

Njoftimi i policisë për arrestimin

Kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, që u largua nga ambientet e Komisariatit Nr.1, me datë 04.01.2021.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sherbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, organizuan punën dhe në lagjen e Ali Demit, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit R. L., 30 vjeç.

Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" dhe "Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit", pasi me datë 02.01.2021, u kap në flagrancë nga Forcat e Posaçme "Shqiponja" në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.1, duke qarkulluar me armë në lagjen e Ali Demit dhe më pas me datë 04.01.2021, duke goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë së Komisariatit Nr.1, u largua me shpejtësi nga ambientet e Komisariatit Nr.1 Tiranë.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të shtetasit R. L.

LEXO EDHE

Ju shpëtoi nga duart i arrestuari, procedohen penalisht 7 policë

“Policët u rrahën në komisariat” zbardhet dëshmia për arratisjen e Riljon Lalës