Provimet online, partitë fushata në shkollë

Universiteti i Tiranës ka vendosur zhvillimin e provimeve online për studentët në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Rektori, Artan Hoxha, ka miratuar vendimin ku thuhet se do të zhvillohen në auditore vetëm ato lëndë specifike që kanë nevojë që studentët të jenë të pranishëm fizikisht.

Në vendim thuhet gjithashtu se brenda datës 3 shkurt, pedagogët duhet të regjistrojnë provimet që kanë nevojë të kryhen në auditore por kjo më parë duhet të miratohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Nëse përfaqësues të shëndetësisë nuk e miratojnë këtë, atëherë titullari i lëndës duhet të zgjedhë një tjetër mënyrë për përfundimin e këtij procesi.

Ky vendim i Universitetit vjen për shkak të rrezikut nga infektimi me koronavirus por një shqetësim i studentëve dhe organizatave jo qeveritare është shfrytëzimi i shkollave për takime elektorale ku nuk mungojnë grumbullimet.

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare thotë se deri tani kanë kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve një masë për deputetët Elona Gjebrea dhe Ervin Bushati pasi kanë zhvilluar fushatë me nxënës në ambjentet e shkollave.

"Elona Gjebra ka përdorur ambjentet e shkollës "Abdulla Keta" në Tiranë për të zhvilluar një takim me nxënësit. Është e ndaluar rreptësisht që katër muaj nga zgjedhjet e 25 prillit të zhvillohen aktivitete në shkolla. Ky është rasti i dytë që ne kemi kallëzuar në KQZ pas një rasti të deputetit Ervin Bushati në një shkollë tjetër po në kryeqytet."

Xhemollari thotë se kjo çështje nuk do të mbetet në dorë të KQZ por do të ndiqet edhe në Prokurori.

"Do të mbledhim të gjitha faktet dhe të gjitha provat në të gjitha shkollat që do të përdoren për politikë dhe do t'ja vëmë në dispozicion prokurorisë së rrethit."

Përfaqësues të studentëve kërkojnë që të mos mbahen dy standarde sa i përket rrezikut të grumbullimeve duke lejuar takimet elektorale, ndërkohë që auditoret janë mbyllur.