Krimet në familje, Çala: Ndikoi pandemia! Shoqëria jonë heziton të kërkojë ndihmë për problemet mendore
Psikiatri Gentian Çala në një intervistë për Ora News ka treguar se shtimi i rasteve të krimeve në familje ka ardhur edhe si rezultat i situatës pandemike.
Sipas Çalës, stresi i akumuluar kohët e fundit ka ndikuar në psikologjinë e njerëzve, teksa ka shtuar se shoqëria shqiptare heziton të kërkojë ndihmë për këto problematika.
Çala: Shoqëria jonë është ende një shoqëri që heziton të raportojë apo të kërkojë ndihmë, të influencojë te anëtarët e saj, qoftë edhe brenda një sistemi të një familje për të kërkuar ndihmë për problem të shëndetit mendor. Ky hezitim lidhet edhe me shumë element kulturalë, edukativë edhe me frikën nga njollosja që vazhdon të jetë një nga problemet që i bën njerëzit të hezitojnë për ndihmë. Kjo besoj që sjell gjithmonë kërkimin e ndihmës me shumë vonesë, kur problemi është i vështirë për t’u trajtuar ose çon në rastet që lihen në harresë dhe pa ndihmë.
A kemi një pasqyrë të saktë të njerëzve me probleme mendore?
Çala: Pasqyrimi i vetëvrasjeve është një problematikë që ka qenë gjithmonë. Që në fillim të pandemisë, shumë shoqata botërore të profesionistëve, edhe ato që merren posaçërisht me vetëvrasjen, me probleme të shëndetit mendor apo abuzimi i substancave, patën deklaruar se pandemia do të shoqërohet me shtime të rasteve të çrregullimeve emocionale, çështje të shëndetit mendor me gjithë faktorët stresues që do ta përcjellin atë, përfshirë edhe problemet e shumta që ajo krijoi. Do të kishim një rritje të numrave të njerëzve që kërkojnë ndihmë dhe ngjarjeve tragjike, si vetëvrasjet apo krimet. Ka të dhëna nga bota që kemi një shtim qoftë të dhunës në familje, qoftë edhe vrasjeve.
Përshtati për online Tea Islamaj.