Covid-19 i merr jetën mjekut të njohur, babai i kandidatit për deputet në 25 prill

Covid-19 vijon të shkaktojë viktima te bluzat e bardha.

I fundit që ka ndërruar jetë nga virusi është mjeku i njohur, 77-vjeçari Muharrem Nonaj.

Doktor Muharremi është babai i mjekut Blenard Nonaj, ish-drejtor i maternitetit “Mbretëresha Gerladinë” në Tiranë dhe kandidat i LSI për qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit.

“Të nderuar miq dhe të afërm. Me hidhërim të thellë ju njoftoj se babai im, dr. Muharrem Nonaj ndërroi jetë, duke mos e fituar dot betejën me Covid-19”, shkruan mjeku në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ndërkohë nuk kanë munguar as reagimet nga kolegët e Nonajt.

“Shoqata Shqiptare e ORL dhe Sherbimi ORL me hidhërim të thellë njoftojnë ndarjen nga jeta të mjekut Otorinolaringolog në rrethin e Skraparit Dr. Muharrem Nonaj. Dr. Muharremi i cili shërbeu deri ditën e fundit nuk mundi ta fitonte betejën me Covid-19. Ai shërbeu ne rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet.

Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin nje figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skaraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit. I shprehim ngushëllimet e thella familjarëve dhe lutemi që shpirti i Tij të prehet në paqe”.