Covid-19/ Komiteti Teknik: Rritje e incidencës në bashkitë e vogla. Shtim i rasteve dhe viktimave
Në një konferencë për mediat Komiteti Teknik i Eksperëve ka shprehur shqetësimin lidhur me rritjen e rasteve me Covid-19 në vendin tonë.
Sipas specialistes së ISHP, Silva Bino, javën e fundit vihet re një rritje si në numrin e infektimeve të reja ashtu edhe të viktimave.
“Këtë javë vëmë re një incidencë në rritje. Indicenda javore është rritur në 209, kemi 378 raste për 100 mijë banorë. Është një incidencë që duket në rritje drastike.
Pra kjo është një rritje e incidencës javore dhe dyjavore. Rritja më e madhe vihet re në Tiranë por edhe në rrethe të tjera të vendit. Si p.sh në Durrës, në Fier, pavarësisht se incidenca më e lartë vihet re në bashkinë e Sarandës. Dhe pastaj në disa bashki të tjera, më të vogla.
Po të marrim të gjithë Shqipërinë, vihet re një rritje në të gjitha bashkitë e vendit.
Përsa i përket grupmoshës vihet re një rritje jo vetëm në grupmoshën e re. Dy javë më parë ne kemi folur për një tendencë në rritje te grupmoshat e reja, aktualisht vemë re rritje të rasteve në të gjitha grupmoshat”
Komiteti Teknik i Ekspertëve u shpreh se fluturimet me Britaninë e Madhe vijojnë të jenë të bllokuara deri në një njoftim të dytë, ndërsa po diskutohet me Ministrinë e Arsimit sa i përket mënyrës së vijimit të vitit akademik në universitete.
Sipas ekspertëve, variantet e reja të Covid-19 mund të kenë ndikuar në shtimin e rasteve.