Rrugë të ngushta e të pashtruara, ankohen banorët e Sarandës: Në fushatë vetëm gënjejnë

Kjo është situata në rrugët e lagjes nr.2 të qytetit të Sarandës.

Të ngushta, dhe të pa shtruara, rrugët kanë krijuar vështirësi për qytetarët që duhet të kalojnë çdo ditë aty.

"Jemi ankuar për shumë gjëra pranë Bashkisë, si për rrugët dhe gjërat e tjera por asgjë nuk është  bërë" thotë banori.


Investimi i fundit në këtë lagje ka qenë shtrimi i rrugëve me beton, me gjysmën e fondeve të dhëna nga vetë banorë e zonës.

"Ne e kemi shtruar vetë si lagje këtu, mblodhëm lekët dhe e shtruam" thotë një banore.

Bashkia e drejtuar nga Adrian Gurma ka lënë pas investimet, ndërsa mbeturinat e gjendura buzë rrugës dëshmojnë për mungesën e koshave.

"Njëher në vit vijnë pastrueset, vijnë dhe bëjnë sikur pastrojnë" ankohen banorët.

Kërkesave të banorëve, për ndërhyrje në infrastrukturë, pushteti lokal vijon t'u përgjigjet me premtime elektorale.

"Për fushatë të njëjtën gjë thonë, vetëm gënjeshtra"

Por kjo zonë në Sarandë nuk është e vetmja që vuan nga mungesa e investimeve në infrastrukurë, pasi edhe shumë lagjje të tjera kanë të njëtjat problematika.