Kreu i PD-së denoncon: Durrësi "nën ujë" por Bashkia mbyll kanalet kulluese me zhavorr
Kreu i degës Durrës së Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me një tjetër skandal të Bashkisë Durrës.
Sipas tij, kjo bashki nuk do të kuptojë se kanalet kulluese e kanë një funksion dhe në një kohë kur Durrësi vuan përmbytjet e shumta sa herë bien shira, Bashkia investon në mbylljen e kanaleve me zhavorr.
Denoncimi i plotë:
S’ka problem, se “uji e gjen vetë rrugën” ....
Sikur të kishin kaluar 10 vite, dhe jo vetëm një javë nga përmbytja si pasojë e shirave dhe bllokimit të kanaleve kulluese të njësive administrative në Durrës, po rezulton se Bashkia Durrës, ose “nuk e kupton”, ose “nuk i intereson” të kuptojë se kanalet kulluese e kanë një funksion!
Pse e themi këtë? Me datë 26 janar 2021, Bashkia Durrës ka shpallur katër tendera për rikonstruksione rrugësh, e konkretisht: “Rruga Tepelena”, Rruga “Shën Pjetër”, Rruga “Danubi” dhe Rruga “Shkumbini”.
- Pa i hyrë kostos së rikonstruksionit, e cila sipas fondit limit të përcaktuar është e ekzagjeruar, pasi janë rrugë me gjatësi maksimale 700 metra lineare, ndërkohë kanë një kosto dyfish për një kategori të tillë rruge;
- Pa llogaritur që janë rrugë në një zonë të banuar dhe nuk është parashikuar askund ndriçimi i tyre;
- Pa përmendur që “rastësisht” hartues është subjekti “Arkonstudio sh.p.k”, i cili është edhe fitues i tenderit 279.554.907 lekë pa t.v.sh për hartim projektesh DS4;
- Ajo që të bie në sy në këto projekte është mbyllja e kanaleve kulluese. E jo mbyllje me sistemim, vendosje tubacionesh, etj., por mbyllje, mbyllje! Mbushje me zhavorr!
Edhe nga fotot e paraqitura nga vetë Bashkia në relacionet teknike duket qartë sasi e madhe ujërash në këto kanale.
E ku qëndron problemi këtu për Bashkinë tashmë të shpartalluar?! Uji e gjen vetë rrugën, ka oborre e shtëpi sa të duash buzë rruge!!!