VENDIMI/ Universiteti i Tiranës: Provimet e semestrit të parë, online

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka vendosur që sezoni i provimeve të semestrit të parë të zhvillohet online.

Sa i përket provimeve specifike, që duhen zhvilluar në auditorë, Rektorati shprehet se më parë duhet vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Të enjten, Universiteti i Tiranës publikoi rregullat që duhet të ndjekin pedagogët dhe studentët për testimin e njohurive nga shtëpia.

Në rregullore thuhej se për çdo provim do të caktohen dy data të njëpasnjëshme në mënyrë që studentët të cilët mund të hasin vështirësi teknike apo e kanë të pamundur kryerjen e provimeve për arsye të ndryshme të mos penalizohen.

Për procedurën e provimit online studentët do të njoftohen 10 ditë para përfundimit të mësimit.

Kohëzgjatja e provimit me gojë do të jetë 10-15 minuta, për testin me shkrim online 1-2 orë, për provimin e kryer nga shtëpia 2-3 orë.

Drejtues të Universiteteve kanë kërkuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që studentët të rikthehen në auditore të paktën për zhvillimin e sezonit të provimeve, ndërsa studentët kundërshtojnë provimet online madje edhe duke paralajmëruar bojkot të procesit.

Lexo edhe:

Studentët provim nga shtëpia? Universiteti i Tiranës publikon rregulloren e testimeve online