“Jo ndërtimit të aeroportit të Vlorës”
Organizatat mjedisore kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën Vjosë-Nartë. Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, OJF-të argumentojnë se një investim i tillë do ti sillte dëme të pakthyeshme zonës por paraqet gjithashtu edhe rrezikshmëri për sigurinë e avionëve dhe të njerëzve.
Një grupim organizatash mjedisore kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në brendësi të kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ata shkruajnë se projekti duhet të anulohet duke argumentuar se kjo do të shkaktonte dëme të mëdha.
“Ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë, duke sjellë dhe përshpejtuar një model ekonomik aspak miqësor ndaj mjediseve natyrore, i cili stimulon zhvillimin e pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm, dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës.”
Një tjetër arsye për kundërshtim konsiderohet dhe fakti se ndërtimi i aeroportit në vendin e parashikuar paraqet rrezikshmëri të lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.
“Kjo zonë përfaqëson një prej segmenteve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike.”
Organizatat shprehin shqetësimin se ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e zonës, por do të largonte të gjitha llojet e shpendëve të egër dhe në që janë në rrezik zhdukje duke dëmtuar rëndë ekosistemin.