Ademi: Më shumë se 3000 Ha nën ujë, kërkojmë ushqime për gjënë e gjallë dhe dëmshpërblimin e banorëve

Sipas kryetares së bashkisë Shkodër, Votana Ademi, situata e përmbytjeve në territorin e Bashkisë është rënduar ndjeshëm.

Ajo në një prononcim për mediat nga terreni tha se ditën e sotme janë më shumë se 3 mijë hektarë nën ujë.

Po ashtu, Ademi ka listuar një sërë kërkesat lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shirave dhe përmbytjet.

"Në emër të banorëve, kërkesat tona:

Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç.

Mbështetjen me bazë ushqimore për gjënë e gjallë (koncentrat) për njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç në një sasi 500 ton.

Dëmshpërblimin e banorëve dhe fermerëve për dëmet e shkaktuara nga uji I shkarkuar nga hidrocentralet në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin." - u shpreh Ademi.

Ademi shton se në qytetin e Shkodrës nuk ka patur asnjë problem dhe ka kullim pavarësisht reshjeve, çka sipas saj tregon se shkaku i përmbytjeve nuk është shiu.

Ajo theksoi se situata e rënduar për shkak të përmbytjeve, parashikohet të zgjasë deri në pranverë.