Ja për çfarë u ankuan qytetarët shqiptarë te Avokati i Popullit gjatë pandemisë

Pandemia ka vështirësuar jetën e shumë qytetarëve, në të njëjtën kohë dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve. Tek Avokati i Popullit janë depozituar shumë ankesa nga individët për mungesë shërbimesh si gjobat e policisë, përjashtimi nga paga e luftës apo rritja e çmimeve jetike ose të produkteve farmaceutike.

Izolimi për shkak të pandemisë ka vështirësuar jetën e një pjesë të popullatës, duke shkaktuar vështirësi ekonomike për përballimin e  jetesës.

Humbja e vendeve të punës si pasojë e shkurtimeve të kompanive për të ulur koston apo dhe falimentimi i bizneseve që u prekën nga karantina, ka ndikuar në rritjen e kërkesës për ndihmë ekonomike nga shërbime të tjera nga administrata.

Shumë qytetarë janë ankuar pranë Avokatit të Popullit se nuk kanë marrë shërbimin e kërkuar.

Erjona Bana, administratore në seksionin e administratës pranë Avokatit të Popullit, thotë për Ora News se ankesat më të shumta kanë qenë gjobat ndaj qytetarëve, rritja e çmimeve apo produkteve farmaceutike gjatë pandemisë, përjashtimi nga paga e luftës apo pushimet nga puna.

Sipas të dhënave që institucioni i Avokatit të Popullit disponon, individët që patën vështirësi në përballimin e jetesës në situatën e pandemisë ishin kryesisht familje që jetonin në zona të thella rurale apo në periferi të atyre urbane.

ANKESAT NË PANDEMI

Pamundësia për tu pajisur me kartë ID dhe pasaportë

Vështirësia apo përjashtimi nga paga e luftës

Rritja e çmimeve të produkteve jetike

Rritja e çmimit të produkteve farmaceutike

Pushime nga puna në disa prej institucioneve

Heqje patentash për tejkalim të fashës së orareve

Gjoba nga policia për automjetet për vend-parkime