Kryemadhi nga Durrësi: Më 25 prill shpopullojmë krimin nga Shqipëria, tritol njerëzor për llumin e Edi Ramës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi nga Durrësi fundin e tranzicionit në LSI dhe mbarë vendin.
Para të rinjve dhe të rejave durrsakë, ajo tha se me 25 prill, me votën e qytetarëve shqiptarë,do të shpopullojnë krimin nga Shqipëria dhe do të popullojnë Shqipërinë me djemtë dhe vajzat shqiptare që po ikin përditë.
Kryemadhi: Ju jap fjalën si nënë, që tranzicioni në LSI ka marrë fund, por nuk do të marrë fund vetëm në LSI. Do të marri fund me 25 prill në Shqipëri, sepse vota juaj, vota e familjeve tuaja, vota e qytetarëve të Durrësit do të jetë avangarde dhe do të jetë lokomotiva e trenit të ndryshimit në Shqipëri, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit kriminal, për të dërmuar njëherë e përgjithmonë këtë farsë të keqe që shkatërroi të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.
Sot politika afatgjatë e Rilindjes dhe Edi Ramës për shpopullimin e Shqipërisë do të marrë fund, sepse ju çdo ditë nuk do të ndaleni, që nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti” te “Sami Frashëri”, deri te shkollat profesionale dhe në shkollat 9 vjeçare për të bindur çdo fëmijë që Shqipëria është shtëpia e tyre, që Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve dhe farsa shpopullimit për të larguar djemtë dhe vajzat e shqiptarëve nga Shqipëria do të marrë fund.
Ne do të shpopullojmë krimin nga Shqipëria dhe do të popullojmë Shqipërinë me djemtë dhe vajzat tona, të cilët këta i kanë larguar nga Shqipëria dhe ne do t’i kthejmë. Sepse ne besojmë te ju, ne besojmë te rinia, ne besojmë te fëmijët tanë, ne i duam dhe do t’ju ndihmojmë, do t’ju përkrahim, do t’ju hapim rrugën që ju të ecni të sigurt dhe për të qenë jo vetëm vendimmarrës, por për të qenë zbatues të politikave dhe të realizimit të reformave e strategjive afatgjata, afatmesme për të ndryshuar të ardhmen tuaj dhe për ta ndërtuar atë në Shqipëri.
Ajo adresoi akuza ndaj qeverisë Rama edhe për betonizimin e qytetit të Durrës, një qytet që siç tha ajo është bërë gunga-gunga.
Kryemadhi: Mjafton të dalësh në pozicione të ndryshme ne bregdet dhe do të shohësh që Durrësi është një qytet gunga-gunga. Mjafton të shohësh betonin e famshëm aty që një shi të bjerë dhe ju e dini se si i gjithë Durrësi përmbytet. Durrësi nuk ka nevojë më për beton, Durrësi nuk ka nevojë më për të krijuar hapësira për 2 apo 3 biznese apo 1 apo 2 grupe interesi, të cilat janë të lidhura me krimin.
Durrësi ka nevojë për të qenë avangard, ashtu si ka qenë gjithnjë, një nga urat lidhëse që dhe të Shqipërisë komuniste i lidhte shqiptarët me Europën, i lidhte shqiptarët me zhvillimin, i lidhte shqiptarët me energjinë, i lidhte shqiptarët me atë kulturë, e cila ishte e pamundur para 30 vjetëve dhe nuk mund ta bllokojë dot një njeri, i cili do të marrë peng jo vetëm Durrësin, por të gjithë Shqipërinë.
Kryemadhi tha se qytetit bregdetar i duhet një strategji e re.
Kryemadhi: Durrësi ka nevojë për njerëzit e tij. Durrësi ka nevojë për djemtë dhe vajzat e tij. Durrësi ka nevojë jo vetëm për durrsakët e vjetër, por Durrësi ka nevojë dhe për dibranët, ka nevojë dhe për skraparllinjtë, ka nevojë dhe për mirditorët, ka nevojë për pukjanët, ka nevojë për shijakasit, ka nevojë për të gjithë qytetarët e tij, të cilët jo vetëm paguajnë taksat, por çdo ditë kontribuojnë për zhvillimin e Durrësit. Këtë zhvillim të cilin e ka bllokuar në rrjedhën e saj betoni i Edi Ramës, krimi i Edi Ramës, ne do të jemi një tritol njerëzor që do të shkatërrojë njëherë e përgjithmonë llumin dhe lluvën e Ramës, i cili çdo ditë e më shumë e zhyt Shqipërinë në varfëri.