Nuk ndalet trafiku i klandestinëve, dy të arrestuar për transportimin e 7 sirianëve

Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Policia e Korçës ka arrestuar 2 persona, të cilët u kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm.

Shtetasi Denis Sulejmani, 30 vjeç, banues në Korçë, u kap nga shërbimet e policisë, në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec,  duke transportuar me mjetin tip "Volkswagen", 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 200 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Ndërsa Skerdiladjo Kamberi, 18 vjeç, banues në Rrogozhinë, u kap nga Policia në vendin e quajtur "Lumi i Tërhanit" në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip "BMW", 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".