Shkodra kujton tragjedinë e 9 janarit, familjarët instistojnë se Ibraj ka penguar operacionin

Familjarët e 28 personave që humbën jetën më tragjedinë e 9 janarit 2004 në ujërat e Gjirit të Palasës vijojnë të hedhin akuza ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj.

Pak ditë më parë ai ka theksuar se në atë kohë forcat e rendit kanë qenë në krye të detyrës dhe këtë e kanë vërtetuar sipas tij dhe hetimet.

"Policia e Shtetit në çdo rast është angazhuar maksimalisht, me forcat dhe mjetet e mundshme që ka pasur."

Por familjarët e viktimave pretendojnë të kundërtën.

"Bajram Ibraj është ndër fajtorët kryesorë të tragjedisë së 9 janarit, ishte Drejtor i Policisë së Shtetit."

Sipas tyre Ibraj ka penguar operacionin e kërkim- shpëtimit natën e 9 janarit 2004.

"Bajram Ibraj për të mbrojtur oficerët e policisë që ishin të lidhur me trafikun ka deklaruar se nuk ka njerëz në det atë natë. Ka ndërprerë edhe operacionin e kërkim-shpëtimit".

Dosja e tragjedisë është dërguar edhe në Prokurorinë e Posaçme nga Shoqata që 9 janari, ndërsa përfaqësues të saj thonë se Ibraj ka frikë nga ajo ngjarje.

LEXO EDHE-Ibraj: Policia nuk ka gisht në atë ngjarje