Incident në aeroportin e Athinës, deputeti i "Agimit të Artë" qëllon pa dashje

Deputeti i Agimit të Artë ka shkaktuar panik në aeroportin ndërkombëtar grek “Eleftherios Venizelos” pasi arma që ai mbante, u shkreh dhe plumbi bëri rikoshent. Gjithçka ka ndodhur, ndërsa Deputeti neonazist Antonis Gregu po dorëzonte te punonjësit përkatës të linjës ajrore armën e tij përpara se të udhëtonte. Nga mediat greke bëhet e ditur se fatmirësisht nuk ka pasur asnjë viktimë.Deputeti i Agimit të Artë do të udhëtonte për në Selanik. Sipas proçedurës së ndjekur para se ai të hipte në bord duhej të dorëzonte armën e tij te punonjësit përkatës, kur nën rrethana të panjohura pistoleta u shkreh dhe plumbi bëri rikoshet në tokë. Ndaj deputetit neonazist është ngritur aktakuzë për incidentin.Ndërkohë që pas indidentit në aeroportin grek partitë kanë komentuar, duke theksuar se kjo parti gjithnjë e më shumë tërheq vëmëndjen me sjelljet e tyre. E Majta Demokratike i bëri thirrje shtetit për të kontrolluar licencat për armëmbajtje që kanë anëtarë të Agimit të Artë, pasi shumë prej tyre janë përfshirë në çështjet që lidhen me drejtësinë."Nuk ka ditë që deputetët e Agimit të Artë të mos tërheqin vëmëndjen me sjelljen e tyre ekstreme” thuhet në deklaratën e të Majtës Demokratike.Partia neonaziste ditë më parë kishte provokuar të pranishmit në parlamentin grek. Gjithashtu shumë herë kjo parti ka provokuar publikun me sulmet ndaj emigranteve.