PDK dhe VV kritikojnë EULEX-in: Mos bëj padrejtësi ndaj luftëtarëve

Arrestimi i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ngritur në seancën e Kuvendit të Kosovës si çështje nga disa deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Të dy këto subjekte politike kanë kërkuar nga misioni i EULEX-it që të mos bëjë padrejtësi ndaj luftëtarëve, të cilët, sipas tyre, kanë dhënë çdo gjë për lirinë e këtij vendi.Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala, ka kërkuar nga misioni i EULEX-it që të kuptoj të vërtetën për dy familjet, Jashari dhe Demaku, pjesëtarët e të cilëve u arrestuan ditë më parë.“Sahit Jashari, luftëtar lirie nga Prekazi, dha pjesën më të madhe të familjes së tij të ngushtë, babën, nënën Salë Jashari tanimë heroinë e kombit dhe familjar të tjerë. Kjo humbje nuk ndodhi në asnjë shtet tjetër, në asnjë luftë ekspansioniste. Por, këto rënie ndodhën në trojet stërgjyshore në Prekaz, duke u përballur me ushtri të rregullt të armatosur deri në dhëmbë, të një shteti pushtues e kriminal”, ka theksuar deputetja Berisha-Shala.Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe deputetja tjetër nga ky subjekt politik, Blerta Deliu-Kodra.Por, kjo çështje nuk është ngritur vetëm nga deputetët e PDK-së. Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se EULEX-i po bënë padrejtësi të mëdha, ndërsa për këtë ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, e cila kishte mbështetur këtë mision më herët.“Ne jemi përballë padrejtësive që EULEX-i po i bënë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e po ashtu Kosovës. UÇK-ja është vlerë kombëtare e Kosovës”, ka thënë Selimi, transmeton Kosovapress. “Por, ne vazhdojmë të kundërshtojmë edhe Qeverinë e Kosovës, e cila na kundërshtonte ne atëherë kur e kundërshtonim EULEX-in. Tani kundërshtimi i Qeverisë së Kosovës në këto rrethana vjen si hipokrizi për kundërshtimin e EULEX-it”.