Basha: Qëllimi ynë, Tirana qendër e teknologjisë dhe inovacionit në rajon

Tirana do të ketë parkun e saj teknologjik. Kompania Arkada ka prezantuar sot studimin e parafizibilitetit për parkun teknologjik të Tiranës, një nga projektet strategjike të Tiranës të shekullit të XXI, lançuar nga kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale.“Projekti parashikon ndërtimin e një parku në një sipërfaqe 30 mijë metër katrorë, ku do të mblidhen të gjithë firmat kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me projekte zhvillimore dhe kërkimore për rritjen e kapaciteteve prodhuese, zhvillimin e ndërmarrjeve, gjenerimin e punësimit dhe natyrisht përmirësimin e lidhjeve midis botës akademike dhe industrisë, midis botës universitare dhe botës së biznesit.Koncepti i parkut teknologjik është ai i një qendre kërkimore, ku nga njëra anë biznesi, korporatat, kompanitë e ndryshme dhe nga ana tjetër bota akademike, universitetet, institutet kërkimore bashkëpunojnë për të realizuar aktivitete në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Kjo bën që idetë e reja të përkthehen në produkte dhe në shërbime, të kalojnë atë hendek që shpesh ndan botën akademike nga ajo e biznesit, duke kontribuar në zhvillim dhe rritje të ekonomisë, në krijimin e vendeve të reja të punës, në rritjen e cilësisë dhe konkurrencës dhe cilësisë së kësaj konkurrence në treg, çka domosdoshmërisht sjell edhe rritjen e cilësisë së jetës në qytet” - u shpreh z. Basha. Bashkia e Tiranës synon me ngritjen e këtij parku, mbështetjen e kompanive në fushën e teknologjive të informacionit dhe rritjen e punësimit, kryesisht të të rinjve.“Përfitimet e pasjes së një parku teknologjik në Tiranë janë në qarta. Ato nxisin krijimin dhe zgjerimin e kompanive dhe njësive të tjera në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, rrisin bashkëpunimin mes universiteteve, qendrave kërkimore dhe bizneseve, krijojnë mundësi për punësim, me një fokus të veçantë tek të rinjtë e kualifikuar në këtë sektor, mbështesin rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, bëjnë të mundur tërheqjen e vëmendjes dhe përmes vëmendjes, investimeve të huaja në vend dhe kryejnë si një proces në vazhdim transferim teknologjie dhe modernizim të shërbimeve të biznesit. Vizioni ynë me angazhimin në këtë projekt të përbashkët ka qenë të mbështesim procesin e transformimit të vazhdueshëm të kryeqytetit, për ta kthyer atë në qendër të teknologjisë e të inovacionit në rajon” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.Shërbimet për bizneset e inovacionit fokusohen në katër prioritete; informacion ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, integrim të bizneseve, çka do të thotë përfshirjen e tyre apo garantimin e përfshirjes së tyre nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe të inovacionit në një rrjet më të gjerë informacioni dhe këshillimi, rritjen e kapaciteteve në teknologji- auditim dhe menaxhim dhe lehtësirat që u krijohen bizneseve për financim.“Bashkia e Tiranës është e vendosur që pas këtij hapi të parë, të hedhë të gjithë hapat e tjerë për të mbështetur ndërtimin e një parku teknologjik në Tiranë dhe këtu kam parasysh hapa konkretë, siç është identifikimi dhe vënia në dispozicion e një territori të mjaftueshëm jo vetëm për fazën e parë prej 30 mijë m2 por edhe për fazat e tjera të rritjes së konsolidimit të parkut teknologjik dhe me këtë vënie në dispozicion natyrisht nuk parashikohen tarifa komerciale, por parashikohen tarifat më minimale simbolike, pse jo edhe aplikimi i programit 1 euro, pasi efektet pozitive, pasojat pozitive të një vendimmarrje të tillë janë shumë të rëndësishme se sa çdo e ardhur që mund të merret nga dhënia me qira e territoreve deri më sot të pa përdoruara apo të përdoruara pa eficencë në Bashkinë e Tiranës. Së dyti, krijimi i një klime, e një mikroklime të veçantë fiskale e cila nga ana e Bashkisë Tiranë ka sot bazën e plotë rregullatore, duke eliminuar çdo taksë për katër vitet e para, taksën lokale për katër vitet e para të operimit, por gjithashtu përfundimi me sukses i dialogut me qeverisjen vendore, në mënyrë që një park i tillë teknologjik në territorin e qytetit të Tiranës, të ketë një mikroklimë fiskale më të favorshme në rajonin e Ballkanit, duke synuar pse jo vitet para përjashtimin total nga të gjitha taksat dhe tatimet. Së treti, ndërtimi me fonde publike, apo rindërtimi sipas nevojës i infrastrukturës mbështetëse të një parku të tillë dhe së katërti, marrja e një roli pro aktiv nga Bashkia e Tiranës për mbështetjen e kësaj iniciative, me informacionin e duhur, si dhe mbështetjen e të gjithë atyre që janë të interesuar të jenë pjesë e kësaj iniciative me të gjitha mundësitë, përfshirë këtu edhe aksesin me financime të buta nëpërmjet programit të Bashkisë së Tiranës, siç është ajo e fondit të garancisë” – theksoi z. Basha.Zoti Basha ka falënderuar ambasadën italiane, ambasadorin Gaiani si dhe qeverinë italiane që është dhe mbetet një partner strategjik i Bashkisë së Tiranës në projekte strategjike të Tiranës të cilat do të ndikojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe shanset për punësim në qytetin e Tiranës, si dhe për ta bërë kryeqytetin një forcë konkurruese sot në rajon dhe nesër në Evropë, për sa i përket teknologjisë së informacionit dhe sa i përket potencialit të vërtetë që paraqet rinia shqiptare në tërësi dhe rinia e Tiranës në veçanti.