Meta: Partneriteti shtet-biznes vë Shqipërinë në punë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar në Shkodër një bashkëbisedim me biznesmenë, sipërmarrës të njohur si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit.Në fjalën e tij, Meta deklaroi se biznesi është dhe duhet të jetë një partner shumë i rëndësishëm i qeverisë për të çuar përpara të gjitha reformat e integrimit evropian. Sipas tij situata ekonomike është plot mjegull rreth e qark.“Kjo shprehet sidomos në rënien e dërgesave të emigrantëve tanë, të cilat kanë pësuar një rënie drastike. Dhe kjo pastaj shprehet edhe në shumë tregues të tjerë, në rritjen e borxhit, në rritjen e deficitit tregtar e kështu me radhë. Ndaj për ne është imediate që përpara se të diskutojmë për taksat, të diskutojmë dhe të angazhohemi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht tek konsumi, i cili është financuar deri më tani nga të ardhurat e emigracionit, por që bazohet tek prodhimi në vend. Dhe akoma më tepër tek një ekonomi që jo vetëm prodhon por edhe eksporton. Kjo është rruga më e sigurt për një ekonomi kombëtare të qëndrueshme dhe njëkohësisht edhe për një punësim të qëndrueshëm duke qenë se për ne problemi kryesor në vend, sot dhe për të ardhmen, mbetet problemi i punësimit dhe rruga më efektive për të zbutur problemet sociale është ajo e punësimit”, tha Meta.Meta u shpreh më tej se LSI për këtë ka një vizion të sajin, shumë konkret. “Në ditët e ardhshme, brenda kësaj jave ne do të japim edhe një alternativë shumë të qartë për shlyerjen e borxheve në një periudhë shumë të shpejtë nga ana e qeverisë, të gjithë punëve publike të papaguara deri tani, por edhe të TVSH-së së parimbursuar deri tani për të gjitha bizneset. Është një skemë shumë e kolauduar, të cilën sikurse e thashë do ta bëjmë publike këto ditë dhe të cilën do ta bëjmë pastaj publike në të gjithë vendin. Sepse është e domosdoshme që shteti t’i shlyejë detyrimet ndaj gjithë kompanive” tha ai.Sipas tij kjo krizë në Evropë duhet ta shikohet si një mundësi për të tërhequr sa më shumë investitorë, sidomos italianë, por edhe të vendeve të tjera të cilët për shkak të rritjes së politikës së taksave në këto vende synojnë të transferojnë fabrikat e tyre, aktivitetet e tyre në vende më të afërta dhe kuptohet që Shqipëria është një vend ideal.Një tjetër çështje shqetësuese për biznesin sipas  Metës ka qenë dhe mbetet rimbursimi i TVSH-së. “Është një borxh i madh i shtetit, pra TVSH-ja e parimbursuar për bizneset, e cila padyshim që përveç shlyerjes së saj që hyn së bashku me skemën e punëve publike të papaguara nga ana e qeverisë kërkon edhe një zgjidhje për të ardhmen. Zgjidhja për të ardhmen, sikurse ne e kemi bërë publike këtu në Shkodër në vizitat e kaluara është rimbursimi automatik i TVSH-së. Kjo është e vetmja zgjidhje që të mos lihet në dorën e administratës, të burokracive të tjera, të veprimeve selektive e kështu me radhë”, përfundoi fjalën e tij para biznesmenëve në Shkodër.