Parlamenti voton paketën e integrimit, Sequi dhe Wollfarth: Mirëpresim miratimin

Pas një seance të tensionuar ku dominuan akuzat dhe kundërakuzat mes deputetëve të PS-së dhe kryeministrit Berisha, Kuvendi arriti të miratojë paketën e integrimit.Mazhoranca dhe opozita bashkuan sot votat dhe miratuan pro ligjit të Gjykatës së Lartë, ligjit për nëpunësin civil, si edhe për reformën parlamentare.Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës votuan me 108 vota pro dhe 1 abstenim për Gjykatën e Lartë, me 107 vota pro për ligjin e nënpunësit civil dhe me 108 vota pro dhe 1 abstenim reformën parlamentare.Gjithashtu Kuvendi miratoi me 67 vota pro shtyrjes së amnistisë deri në dhjetor të vitit 2013.Seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit është ndjekur nga afër edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.Menjëherë pas miratimit të ligjeve, dy ambasadorët, ai i BE-së Ettore Sequi dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth theksuan se sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë pasi i hapet rruga reformave.“Dita e sotme është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ajo hapi rrugën, me hapa të rëndësishëm të reformës, drejt një të ardhmeje edhe më të mirë. Mendoj se gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend kanë arsye për të qenë shumë të lumtur. Ky është një hap konstruktiv në ndërtimin e një të ardhmeje të mirë për Shqipërinë. Unë dhe stafi im e mirëpresim këtë. Ky hap konstruktiv është veçanërisht i rëndësishëm sepse ai hap rrugën konstruktive për gjysmën e dytë të vitit, pasi ky vit vijon të jetë vendimtar për Shqipërinë. Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e këtyre ligjeve dhe në miratimin e tyre sot. Nuk mund të resht së thëni: ishte hap i rëndësishëm për një të ardhme konstruktive të Shqipërisë. OSBE-ja ishte, është dhe dëshiron të jetë pjesë e procesit të reformave, në të ardhmen, përmes Prezencës së saj në Shqipëri dhe ne jemi të gëzuar që mund të kontribuojmë. Integrim evropian do të thotë më shumë paqe, më shumë mirëqenie dhe kjo është pikërisht arsyeja për të cilën ne japim mbështetjen tonë këtu. Personalisht, jam shumë i çliruar që ky hap u mor sot dhe ndoshta ky është edhe emocioni që ka ngjallur ky miratim në të gjithë vendin: është një ditë çlirimi dhe e çeljes së të ardhmes e le të jetë një ditë e lumtur”- tha  ambasadori Wollfarth."Sapo po flisja me Brukselin  për miratimin e ligjeve. Ne mirëpresim miratimin e kësaj pakete dhe kjo është prova që vërteton atë që kam thënë gjatë inagurimit të një projekti.  Unë kam thënë që shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë dhe vullnetin e mirë për të punuar në të mirë të vendit. Që do të thotë që miratimi i këtyre ligjeve është i rëndësishëm por është edhe prova që vërteton se palët mund të bashkëpunojnë me njërit tjetrin kur kjo është në të mirë të vendit. Unë mendoj që është një ditë e rëndësishme pasi është miratuar kjo paketë" theksoi ambasadori Sequi.I pyetur se çfarë mendimi ka që tre ligjet do të hyjnë në fuqi në vjeshtë, ambasadori Sequi theksoi se “unë mendoj se parlamenti është sovran dhe sot u duk që të gjithë ishin dakort me atë që u miratua”.I pyetur nëse duhet të përfshihej në seancën e sotme plenare edhe votimi i vendeve vakante në KQZ, ambasadori Sequi u shpreh se:“Unë mendoj se Shqipëria i ka të gjithë mundësitë dhe kapacitet që të punojë për të arritur rezultate dhe miratimi i këtyre ligjeve e vërteton këtë gjë. Por dëshiroj të përsëris një gjë që është shumë e rëndësishme.  Zgjedhjet e mira janë një test për fuksioninim e institucioneve demokratike”.

 “Njeriu duhet të jetë optimist. Unë, sigurisht, që e kam thënë atë që kam pasur për të thënë për KQZ-në. Ne do të dëshironim dhe vijojmë të dëshirojmë një KQZ të plotë, por le ta ndajmë këtë nga hapat e ndërmarrë sot. Sot pamë konstruktivitet dhe kur ndërton një vend dhe një të ardhme më të mirë, nuk mund të reshtësh kurrë së qeni konstruktiv”- tha Wollfarth.