Shoqata shqiptare e Gazetarëve Evropianë: Kujdes ndaj punonjësve të medias, mos cënoni politikën editoriale të RTV Ora

Shoqata shqiptare e Gazetarëve Evropianë ka shprehur mbështetjen e saj për gazetarët e Ora Neës dhe RTV Ora pas sulmit politik që iu bë pak ditë më parë.

Kjo shoqatë u bën thirrje institucioneve që t'u kushtojnë vëmendje shtesë punonjësve të mediave duke i lejuar ata të vazhdojnë punën e tyre pa ndërhyrje në politikën e tyre editoriale.

Në deklaratën e saj, shoqata shqiptare e gazetarëve evropianë vë në dukje faktin se të dy stacionet kanë qenë kritike me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Në deklaratë thuhet se të dy televizionet u gjobitën dhe u mbyllën "padrejtësisht" nga shteti.

Duke cituar edhe raportet e Reporterët pa Kufij, Freedom House, etj., shoqata vlerëson se është e qartë se Qeveria aktuale e udhëhequr nga Edi Rama synon të kontrollojë median e pavarur.

Shoqata shqiptare e gazetarëve evropianë thotë se po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në 2 televizionet, Ora Neës dhe RTV Ora, dhe për çdo shqetësim dhe problem me shkeljen e lirisë editoriale ose punën e gazetarëve, do të ngrejë zërin e saj fuqishëm në Këshillin e Evropës dhe institucione të rëndësishme evropiane.