Berisha: Rama ofron mashtrimin. Premton anëtarësim në BE për 4 vjet
Peqini ka qenë stacioni i radhës i Partisë Demokratike, ku edhe ka prezantuar kandidatët e saj për deputetë. Shefi i mazhorancës ndërsa ka prezantuar kandidatin demokrat Dashnor Sula, ka lëshuar një lumë akuzash në drejtim të dy kandidatëve të PS për këtë qytet.“Unë kam nder të madh të paraqes para jush sot deputetët e qarkut të Elbasanit, të paraqes sot para jush birin tuaj, deputetin tuaj Dash Sulën dhe t’ju rrëfej këtu se çdo projekt që është zbatuar në këtë qytet dhe në fshatrat anekënd këtij rrethi ka pasur angazhimin total, kërkesën e vazhdueshme dhe insistimin e pandërprerë të Dash Sulës, i cili nëse ka ndonjë teprim, ka dashurinë e pakufishme për ju dhe për qytetin e tij. Për këtë unë e përgëzoj.Këtu garojnë dy kushërinj të parë nga Peza. Për Dash Pezën nuk po flas se kemi një fjalë ne , atë që ta bën i yti , nuk ta bën njeri, atë që ja bëri Alfredi , nuk ja bëri njeri. Kurse për Alfredin do tu them dy fjalë, kur kandidoi e dëgjova një natë në TV tek thoshte “regjimi i tmerrshëm i Berishës”. Alfred, në qoftë se karakteri i burrit ekziston dhe ai vërtetë ekziston, mund të them se ti nuk paske deficit të lindur. Në kohën kur Alfredi çirrej në TV për regjimin e Berishës, Alfredica, e shoqja ishte drejtoreshë në regjimin tim. Pra vota këtyre njerëzve nuk u jepet, sepse nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç interesave personale. Ju garantoj se me Dash Sulën do të ktheni në realitet të gjitha projektet për Peqinin e zhvilluar, të gjitha infrastrukturën moderne. Do të ecim të sigurt drejt integrimit të Peqinit, të Shqipërisë në BE” deklaroi Berisha.
Berisha nga Peqini ka komentuar edhe deklaratat e Ramës për Universitetet.“Alternativa tjetër është para së gjithash alternativa e mashtrimit e mohimit, e atyre arritjeve që para së gjithash janë tuajat. Kur deklarohet se NATO-ja është natë, ose nga autobusi mavi dëgjon zërin e etërve, ose je tërësisht i papërgjegjshëm kur deklaron se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, qindra kilometra rrugë të asfaltuara në Peqin , në Gramsh në Dumre, në Librazhd deklaron se nuk janë asgjë. Kur thua se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, mohon 181 shkolla, kopshte, ndërtesa universitare, të ndërtuara dhe të rindërtuara në qarkun e Elbasanit, ose kështu të thërret zëri i të parëve të tu dhe je i pashpresë, ose je i papërgjegjshëm.Dje e dëgjoja tek u fliste qytetarëve në Cërrik se universitet janë piramida dhe se Gjermania na paska gjithsej 6 deri në 10 universitete, Mbretëria e Danimarkës sipas tij , pas vizitës që bëri na paska gjithsej 6 universitete. Mashtrim total. Edhe Nastradini do ja kishte lakmi. Gjermania numëron 384 universitete. Cilido nga ju le të klikojë në internet dhe do të gjejë listën e universiteteve gjermane. Mbretëria e Danimarkës ka jo 6, por 35 universitet. Betejat e ua me universitet, shoku i autobusit janë betejat me mullinjtë e erës, janë instinkti i fantazmave të të parëve që ke në autobus, ose papërgjegjshmëria jote totale” theksoi ai.Më tej Kryeministri u premtoi qytetarëve të Peqinit se brenda 2 viteve të mandatit të tretë do të kenë lidhjen direkte me Tiranën nëpërmjet Baldushkut. Sipas Berishës janë vetëm 12 km që kanë mbetur pa u ndërtuar.“4 vitet që vijnë do asfaltojmë cdo rruge dhe rrugicë ne rrjetin e Peqinit dhe qarkun e Elbasanit. 4 vitet që vijnë në rast se biznesi në Peqin u rrit me 70 %, me taksa që ulem dhe hoqëm me masat e tjera, bizneset e Peqinit do të rriten së paku me dy herë. 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermerët e Peqinit dhe e mbarë Shqipërisë. Do të rimbursojmë makineritë. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë gjitha shkollat dhe kanalizimet. Bashkimi Peqinit me Tiranën, me daljen e veçante nga Kumuna e Papër ne Baldushk është zotimi ynë. 12 km kanë mbetur, ju jap fjalën se dy vitet e para të mandatit do keni lidhje direkte me Tiranën”, premtoi Berisha.
Kreu i mazhorancës premtoi gjithashtu se në katër vitet që vijnë do të ecet më shpejt drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.“Zotohem se mandatin e tretë do të marrim statusin e vendit kandidat, i cili shoqërohet me qindra milionë euro. Do hapim negociata për vend anëtarë në BE” theksoi Berisha.