Drejtori për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, ka nisur takimet në Tiranë me krerët e politikës shqiptare, në një përpjekje për të gjetur konsensusin për kthimin në normalitet të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.Zyrtari amerikan ka bërë ndalesën e parë në selinë rozë, ku është pritur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.Takimi ka nisur në orën 08:30 minuta dhe ka zgjatur për më shumë se një orë. Moore shoqërohej nga ambasadori amerikan Alexandër Arvizu, ndërsa Rama nga Damian Gjiknuri, eksperti për çështje zgjedhore dhe Ditmir Bushati, kreu i komisionit parlamentar të Integrimit.Rama ka falenderuar të dërguarin e Departamentit të Shtetit për vizitën e tij në Tiranë brenda një kohe të shkurtër, duke e vlerësuar atë si një shenjë konkrete të interesimit të SHBA dhe mbështetjes që ata i japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.Kryesocialisti ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe konkret që japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri duke vënë në dukje rolin e tyre në forcimin e demokracisë në vendin tonë.Gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me rolin, gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve përfshi Komisionin Qendror të zgjedhjeve dhe problematikën më të cilën ndeshet ai.Rama ndër të tjera vuri në dukje se Partia Socialiste si promotore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është e gatshme të votojë për kuadrin ligjor të nevojshëm për këtë qëllim.Ndërsa Moore ka rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA si përmes ambasadës në Tiranë ashtu edhe kontributit konkret njerëzor dhe financiar për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje më standardet ndërkombëtare dhe në respekt të ligjit.Ai ka vënë në dukje se SHBA do të ndjekin nga afër të gjithë proçesin si para ashtu edhe pas zgjedhjeve duke bërë thirrje dhe shprehur besimin se të gjithë palët do të mbajnë parasysh interesat më të mira të popullit shqiptar, të respektojnë ligjin dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se proçesi zgjedhor është i një rëndësie të veçantë.
Zyrtari amerikan në përfundim të takimit ka bërë një deklaratë diplomatike e cila ka lënë të nënkuptohet se misioni i tij është pikërisht zgjidhja e ngërçit të KQZ-së.
"Ky ishte takimi im i parë në kuadër të vizitës dhe do të kem takime të tjera sot dhe nesër. Pata kënaqësinë të takoj zotin Rama dhe do të takohem edhe me kryeministrin Berisha dhe zotin Meta. Dhe në fund të vizitës, nesër pasdite do të kem më shumë për të thënë. Ky është vetëm fillimi i vizitës. Sigurisht që ne do të na pëlqente të shikonim, siç e kemi thënë shpesh dhe siç e ka bërë të qartë edhe Ambasadori ynë këtu Aleksandër Arvizu dhe të sigurohemi që shqiptarët të kenë besim te proçesi dhe institucionet zgjedhore dhe rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit, që janë shumë afër. Por më shumë do të flas në fund të vizitës sime” tha ai.Pas takimit në selinë rozë drejtori për Europën Qendore e Jugore në departamentit e Shtetit ka takuar Eduard Selamin, një eksponent i lartë i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidat për deputet. Në përfundim të takimit Selami është shprehur se shpreson që KQZ të plotësohet me 7 anëtarë.
“KQZ-ja është një problem që na takon ne shqiptarëve që ta marrim, mbi bazën e ligjit tonë. PD është e interesuar për funksionimin e KQZ-së me 7 anëtarë”,- deklaroi Selami.
Gjithashtu Moore rreth orës 14: 00 ka takuar edhe kryeministrin Sali Berisha me të cilin gjithashtu është diskutuar për problemet që lidhen me zgjedhjet e 23 qershorit, ku më emergjentja është cështja e KQZ-së.
Ndërkohë që rreth orës 16 e 30 Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore do të takohet me kreun e LSI-së Ilir Meta. Ndërkohë që për të mësuar se cfarë është arritur në këto takime Jonathan Moore do të dalë në një konferencë përmbyllëse gjatë ditës së nesërme.