Rama, votuesve: Doganierëve të Saliut merruni paratë, por mos u jepni votën
Në javën e dytë të fushatës elektorale, Partia Socialiste është ndalur në Devoll, ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë për këtë rreth. Përpara qindra mbështetësve socialistë, shefi i opozitës, Edi Rama, ka denoncuar blerjen e votës nga kampi blu, ndërsa la një këshillë për të gjithë fuqinë votuese shqiptare.
"Edhe Devolli ashtu si Korca, Kolonja, Pogradeci dhe gjithë Shqipëria do rilindjen, do punë dhe punësim, shërbime sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, një qeveri që të kthejë sytë nga fshati dhe jo një pushtet që ka ngitur një çetë me doganierë për të ofruar para për të marrë votën. Apo po aq keq, jo një pushtet që kërcënon administratën me heqje nga puna. Doganierëve merruni paratë se janë tuajat, merrni dhe kthejani shuplakën e votës pushtetit që kërkon t’ju mbajë peng duke ju trajtuar si skllevër. Mos u trembni se do hiqeni nga puna, ai që do pushohet sot do kthehet pas 23 qershorit. Pushteti ka rënë, fatkeqësi për ta që nuk dinë të ikin me nder. Ne kemi vetëm një detyrë, ti mundim me votën masive të shqiptarëve që duan rilindjen” deklaroi Rama.Duke iu referuar akuzave të Berishës për autobusin, Rama ftoi kreun e qeverisë që edhe ai të merrte një autobus, duke lënë mënjanë antiplumbin dhe qetën me 200 roje.“Saliu merret përditë me autobusin tonë, dhe e përgojon autobusin. Nuk e di pse. Më mirë me autobus si gjithë qytetarët se me antiplumb si Saliu. Më mirë me autobus me vajza dhe djem që bashkë me ne udhetojnë në të gjithë Shqipërinë, sesa me një qetë me 200 roje. Antpiplumb po, qetë me 200 roje po, çfarë ke bërë që të ruajnë kaq shumë Sali?”- tha Rama.Duke përcaktuar se koha e rivalit të tij politik mbaroi, Rama i ka sugjeruar Berishës shkojë të bëjë gjyshin e mirë, me kohë të plotë.“Është koha që Saliu ta heqë antiplumbin dhë ta shpërndajë atë qetën e 200 rojeve dhe të shkojë e të bëjë gjyshin me kohë të plotë. Shqipërisë nuk i duhet një gjysh me antiplumb, por Rilindje”theksoi Kryesocialisti.“Sot jemi në muajin më të rëndësishëm të këtyre 20 viteve, jemi në muajin e Rilindjes së Devollit dhe Shqipërisë, sot është koha jonë, e Edi Ramës, për të punuar të qetë, të lirë. Është koha e pasurive, tokës së begatë të Devollit. Është koha të themi jo, është koha të refuzojmë, është koha të votojmë PS dhe Edi Ramën” u shpreh Niko Peleshi.
“Sot është koha për të votuar për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ndërtuar Europën këtu, brenda kufinjve tanë” deklaroi Olta Xhaçka.
Ndërkaq rreth orës 17:30 Rama do të ndalet tek “Këndi i Fjalës” me votuesit e pare ne pedonalen e Korçës, ndërsa në 19:30 Kryesocialisti do te jete ne qytetin e Pogradecit.