Fleckenstein raporton në PE: Të çelen negociatat me Shqipërinë pas miratimit të reformës në drejtësi

Knut Flekckenstein, raportuesi i Shqipërisë në komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka paraqitur raportin e tij më të fundit për integrimin evropian të vendit tonë, ku ka theksuar se Shqipëria është në rrugën e duhur në përmbushjen e kritereve të vendosura.Ai nënvizon se është shënuar përparim në lidhje me pesë prioritetet kyçe për anëtarësimin, ndërkohë që theksoi rëndësinë e bashkëpunimit maxhorancë opozitë sa i përket miratimit të reformës në drejtësi. Fleckenstein shton se me prioritet duhen parë edhe reformat në fushat e tjera.Fleckenstein: Kemi thënë se kur bëhet fjalë për reformën në drejtësi, Komisionit i kërkohet të bëjë një proces të kujdesshëm monitorimi. Mendoj se duhet të nisim negociatat me Shqipërinë. Dhe vendimi duhet të merret në Parlament me një shumicë të madhe.Ndërkohë, përfaqësuesit e tjerë në komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian kanë prezantuar gjithsej 163 amendamente, në shumicën e të cilave vlerësohet progresi i qëndrueshëm i Shqipërisë në progresin e reformave.Megjithatë, në disa amendamente kërkohet zbatimi i "ligjit të dekriminalizimit", duke u ngritur si shqetësim pranisë së krimit në politikë. Nuk është lënë jashtë vëmendjes shqetësimi për korrupsionin në fushën e drejtësisë, problemet në shëndetësi, prokurimet publike dhe qeverisjen lokale.Sa i përket rendit, kërkohet një punë me e madhe për të parandaluar trafikun e drogës si dhe kultivimin e bimëve narkotike, ndërkohë që thuhet se kontrolli i trafikut të armëve nuk ka qenë në nivelin e duhur. Një pjesë tjetër dërrmuese e  amendamenteve të prezantuara fokusohen te reforma e sistemit në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.Në paragrafin 5, të dakordësuar ndërmjet dy grupeve me te mëdha PPE dhe S&D, përkatësisht ndërmjet eurodeputeteve Kukan dhe Fleckenstein, i kërkohet Komisionit Evropian që me miratimin dhe fillimin e implementimit të Reformës në Drejtësi të konsideroje propozimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.Nesër projekt-Rezoluta do te votohet ne seancën plenare te Komisionit te Politikes se Jashtme te PE./Ora News/