Lirimi i Paro Laçit, MD inspektim në Gjykatën e shkallës së parë dhe apelit
Ministria e Drejtësisë, inspektim në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Apelit Tiranë. Pas konstatimit të mosrealzimit të ekstradimit dhe lënien të lirë të të dënuarve Paro Laci dhe Sokol Bedini (Imami), MD ka filluar inspektimin e menjëhershëm të procedurave të ndjekura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo të Apelit Tiranë.Inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Çështjeve të Drejtësisë me objekt kontrollin e veprimeve procedurale të ndjekura nga gjykatat në të dy rastet.Në përfundim të inspektimit, pasi të jenë marrë dhe objeksionet e gjyqtarëve Ministri i Drejtësisë do të ndërmarrë edhe eventualisht fillimin e procedurave përkatëse.Paro Laçi, aksioneri i klubit sportiv “Partizani” nuk u ekstradua drejt Italisë, ku është dënuar për trafik narkotikësh, me vendim të gjykatësit Ibrahim Hoxha, i cili kërkoi që ekstradimi të bëhet në momentin që ai do të mbyllë hesapet me drejtësinë shqiptare. Gjykatësi vendosi gjithashtu të ndryshojë masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’, në ‘arrest shtëpie’, duke i ‘dhuruar’ në këtë mënyrë Laçit lirinë.Më herët Paro Laçi, është dënuar me 2.6 vite burg, për akuzën e korrupsionit dhe dosja penale e tij ndodhet në Gjykatën e Lartë. Derisa kolegji penal të dalë me një vendim, Paro Laçi do të qëndrojë në ‘arrest shtëpie’ dhe nuk do të ‘fluturojë’ drejt Italisë, pavarësisht faktit që është pranuar ekstradimi. Paro Laçi është dënuar në shtetin fqinj me katër vite burg, për akuzën e trafikut të kokainës në vitin 1996.