Akuzat e PS për Monumentet, PD: Trillime, Rama s’ka bërë asgjë për trashëgiminë kulturore

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me akuzat e selisë rozë për shitje të monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat, Gerti Bogdani, i cilësoi shpifje të radhës të sallonit mavi, ndërsa akuzoi Ramën se si gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Ministër Kulture ashtu edhe si Kryebashkiak i Tiranës nuk ka bërë asgjë për trashëgiminë kulturore, përvecse e ka shkatërruar atë.“Sot, Edi Rama shpalosi një shpifje të radhës nga salloni i tij mavi. Këtë radhë trillimi kishte të bënte me trashëgiminë kulturore. Çdo qytetar i Tiranës e di mjaft mirë se Rama s’ka bërë absolutisht asgjë për trashëgiminë kulturore si Kryebashkiak.Përkundrazi, Edi Rama ka shkelur Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 180 i datës 13.04.2000 “Për shpalljen ansanbël monument kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”.Ky vendim ishte hartuar nga vet Rama kur ishte Ministër i Kulturës. Por Rama kryetar bashkie në shkelje flagrante të këtij vendimi prishi monumentet e mbrojtura të kulturës si kinema Republika, kinema 17 Nëntori, apo dhe ish bibliotekën Carnavogn (ish kinema Ali Demi) – të gjitha këto për të dhënë leje ndërtimi për pallate për klientët e tij sipas modelit Rama-Kokëdhima, e deri tek hipja përsipër varrit të Pashait nga 28 katëshi i Fidelit.Të gjitha këto vlera kulturore të zhdukura janë tregues i trajtimit të monumenteve të kulturës nga Edi Rama. Rama është bërë si Shvejku dhe thotë "ç'më duhet mua se ç'them unë, apo ç’më duhet mua se çfarë kam bërë unë" Rama është i pabesë për çdo gjë dhe me këdo” tha ai.Bogdani nënvizoi se Kryeministri Berisha dhe demokratët besojnë tek mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe kanë ndërmarrë hapa konkrete për të mbrojtur dhe promovuar trashëgimin kulturore.“Prandaj dhe kemi rehabilituar qendrat historike të qyteteve si Korça dhe Elbasani. Qeveria ja arriti të përfshijë në listën e UNESCO-s si Pasuri Botërore e njerëzimit nominim në seri Gjirokastra dhe Berati në Qershor 2008. Kemi restauruar shtëpitë historike në Berat dhe Gjirokastër. Ne kemi ndërtuar rrugë të reja drejt objekteve të kulturës si Kalaja e Shkodrës apo Parku Arkeologjik i Antigonea-s si dhe kemi shtuar ndriçim në Kalanë e Beratit.Këto përmirësime të objekteve të trashëgimisë kulturore janë hapa konkret që kemi ndërmarrë e që mund të shihen në të gjithë Shqipërinë. Sot, projekte të tilla, rrugët e reja dhe përmirësimet në infrastrukturë kanë dhënë rezultate në shtimin e numrit të turistëve me 15 herë që nga viti 2005, nga 300.000 në 4.7 milion sot, duke bërë një diferencë në jetën e qytetarëve. 22.000 shqiptarë punësohen sot në turizëm, 47% më shumë se në vitin 2005. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të vazhdojmë të punojmë më shumë për mbrojtjen e së kaluarës për një të ardhme më të mirë dhe ne do ta realizojmë këtë. Përpara!” përfundoi ai.Gjatë ditës deputeti socialist Auron Tare denoncoi dhënien me qira të objekteve të trashëgimisë kulturore në vend, si kala apo vende me karakter historic nga MTKRS, duke e quajtur një rrënim që po i shkaktohet trashëgimisë së pazëvëdësueshme kulturore.Tare u dërgoi një mesazh paralajmërues të gjithë atyre që do të përfshihen apo kanë interesa biznesi me këtë objekte.“Me gjithë përpjekjet e Shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për ta ndaluar këtë veprim jo logjik dhe shumë të dëmshëm për trashëgiminë kulturore, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi i cili do ta rradhisë ministrin e Kulturës dhe vetë Kryeministrin në ikje, në rreshtin e atentatorëve ndaj trashëgimisë kulturore.Partia Socialiste ju bën thirje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të Qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me Monumentet Kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore”, tha Tare.