100 vjet drejtësi, Nishani: E drejta e qytetarit duhet të jetë një realitet i prekshëm

Në cilësinë e kreut të shtetit, njëherësh edhe kryetar i KLD-së, Presidenti Bujar Nishani mbajti sot një pritje me rastin e 100 vjetorit të drejtësisë shqiptare, mu morën pjesë një sërë personalitete të larta të shtetit, drejtësisë, por dhe ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë.Në fjalën e tij të rastit, Nishani e cilësoi drejtësinë si themelin e demokracisë së një vendi, ndërsa tha se e drejta e qytetarit duhet të jetë një realitet i prekshëm.“Sot më shumë se kurrë qytetari mund të identifikojë një realitet krejt të ri nga ajo që ne ishim jo shumë vite më parë. Sot ne debatojmë për cilësitë e funksionimit të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të përbashkëta dhe të individit. Sot ka vend për legjislacion më të konsoliduar. Disa nga arritjet janë reale”- tha Nishani.Presidenti Nishani ndërsa i vlerësoi si shumë të domosdoshme reformat në sistemin e drejtësisë në të ardhmen, vlerësoi se këto 100 vite janë pasuria.“Për të ardhur deri më sot, sistemi ka pësuar ndryshime të rëndësishme duke u përballuar me sfidat dhe kushtet që ka kaluar vendi, të cilat e kanë zhvilluar ose penalizuar atë. Këto 100 vite nuk kanë qenë aspak të lehtë. Në këtë fundshekull të këtij sistemi ndjej që kemi sfida jo të lehta për të përballuar. Ajo që shohim kur shohim të kaluarën është se hapat që ndërmarrim sot do të shënojnë vlerë në të ardhmen. Kombi shqiptar ka treguar është se është një komb që dëshiron të ecë më shpejt se të tjerët. Sistemi sot bazohet në parimin e pavarësisë së pushteteve dhe luajalitetit mes tyre. Profesionalizmit dhe vendosjes në plan të parë të respektimit edhe të drejtave dhe lirive të njeriut”, u shpreh Nishani.Vendi tha Presidenti i Republikës po shkon drejt rrugës së pakthyeshme të integrimit, ndaj shtoi ai, le ta mbartim lirinë, këtë të drejtë, edhe në shekullin e ri, me sfida të reja dhe arritje të përbashkëta të pakufizuara.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në sistemin e drejtësisë, Presidenti Nishani i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” avokatit Prof. Dr. Maksim Haxhia, ish-ministrit të Drejtësisë Kudret Çela dhe juristit Stavri Çeço (pas vdekjes); titullin “Për Merita të Veçanta Civile” avokatit Virxhil Karaja dhe avokates Hydajete Kundraxhi; si dhe titullin “Naim Frashëri” juristit Manol Konomi (pas vdekjes) dhe juristes Vjollca Meçaj.