Gjunkshi-Stavridis: Kontributi i FA në Afganistan, rol domethënës në sigurinë globale
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes”, Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Europë, admiral James G. Stavridis, në një ceremoni të veçantë të organizuar në Shtabin Qendror të Komandës së Aleancës për Operacionet (SHAPE), në Casteau, në veri të qytetit Mons, Belgjikë. Medalja me motivacionin “Për vëmendjen e veçantë dhe kontributin e admiral Stavridis për transformimin dhe modernizimin e FARSH dhe për integrimin e plotë të vendit tonë në NATO” i akordohet admiral Stavridis nga presidenti Republikës, SH.T. Bujar Nishani, në përfundimin e detyrës.Në ceremoninë e organizuar, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, vlerësoi lart rolin e admiral Stavridis, duke shprehur respektin më të thellë për lidershipin e lartë, idetë e ndriçuara, këshillat, frymën e ngrohtë të komunikimit, si dhe për mbështetjen personale të ofruar prej tij në dy vitet e fundit. Gjithashtu, në fjalën e tij, gjeneral Gjunkshi përmendi edhe momentet kyçe të karrierës brilante të admiralit.Në vijim të fjalës, shefi i SHPFA theksoi se përkushtimi dhe lidershipi i admiral Stavrids në drejtimin e ACO ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjitha vendet e Aleancës dhe më gjerë në arenën e sigurisë globale.“Respekt dhe mirënjohje për vëmendjen, dhe kontributin tuaj për vendin tim dhe për FA të RSH. Dekorata e akorduar sot, është vetëm një memorie simbolike e respektit për gjithçka që ju keni bërë”u shpreh Gjunkshi.Nga ana e tij, SACEUR, admiral Stavridis, në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë theksoi kënaqësinë e madhe dhe falënderime të veçanta për medaljen e akorduar. Njëkohësisht, admiral Stavridis vlerësoi njëherësh rolin dhe lidershipin e shefit të SHPFA dhe arritjet e FARSH nën drejtimin e tij, veçanërisht në përmbushjen e detyrimeve për kontribute të vlerësuara në operacionet e drejtuara nga NATO dhe në procesin e integrimit të plotë në NATO, pas anëtarësimit në Aleancë.Gjithashtu, admirali përmendi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur me shefin e SHPFA, dhe respektin më të thellë për punën dhe arritjet e tij duke theksuar se edhe në të ardhmen miqësia dhe respekti do të vijojë sikurse edhe deri tani. Admirali duke rikujtuar vizitat e mëparshme në vendin tonë, shprehu konsideratën më të lartë për trashëgiminë e pasur kulturore dhe mikpritjen e ngrohtë.Në përfundim të fjalës së tij, admirali shprehu kënaqësinë që ka patur rastin të bashkëpunojë me lidershipin shqiptar dhe premtoi se lidhjet e krijuara do të forcohen edhe më tej në të ardhmen, dhe se ai do të jetë i gatshëm të ndihmojë vendin tonë edhe në të ardhmen në detyrat e reja që do t’i ngarkohen.