Arratisja e anëtarit të bandës së Yzberishtit, pezullohet Drejtori i burgut të Fushë-Krujës
Shkelja e afatit të lejes dhe arratisja e të burgosurit, Ilir Avdillari, i ka kushtuar me pezullim nga detyra drejtorit të burgut të Fushë-Krujës,Ligor Prifti. Urdhëri është dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, pas verifikimit të procedurave të dhënies së lejes për të arratisurin. Ndërkohë që policia ka bërë dhe kontrollin e banesës si dhe fotoja e Avdillarit u është shpërndarë të gjithë shërbimeve policore.Ilir Avdillari i njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit është arratisur nga burgu i Fushë Krujës. Ai ishte larguar me leje 7 ditore të Drejtorisë së burgut, por nuk është kthyer brenda afatit të caktuar, që ishte pikërisht dita e enjte.42- vjecari, i shpallur tashmë në kërkim nga policia, ishte dënuar me 22 vjet burg dhe i kishin mbetur 3 vjet e 4 muaj për të kryer dënimin e plotë.Bashkë me vëllezërit e tij Nazmi e Fatmir Avdillari ishin anëtarët të bandës famëkeqe të Yzberishtit që veproi në Tiranën në vitet 1997-98 dhe për vrasjen e biznesmenit italian Stefani Rossi. Vrasja u krye më 27 janar ’98 në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka dhe u ekzekutua vetëm 100 metra larg fabrikës së tij.