Kujdes shpenzimet e fushatës, raporti i BSH-së: Pas 5 vitesh rikthehet rritja 6%
Ekonomia jonë do të dojë edhe shumë vite që t’i rikthehet rritjes së artë prej 6%. Një nivel i tillë i rritjes ekonomike në Shqipëri është arritur në vitin 2008, ndërkohë që pas këtij viti ka ardhur një ulje e nivelit në rritje duke arritur vetëm në 1.6 % gjatë 2012. Kështu kanë deklaruar ekspertë të Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të raportit të ecurisë ekonomike për tre mujorin e parë të këtij viti.Zhvillimet në ekonominë e huaj jo të favorshme; dinamikë më e ngadaltë e rritjes së eksporteve vendase; kushtet e huaja të financimit, që mbeten të shtrënguara janë disa nga faktorët që do të frenojnë rritjen ekonomike, ndërkohë që një prej problemeve kryesore sipas raportit të Bankës së Shqipërisë vijon që të mbetet rënia e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit.Pikërisht duke marr shkas prej këtij fakti, sipas ekspertëve është e nevojshme që në këtë fushatë elektorale të bëhet kujdes me shpenzimet dhe me ruajtjen e defiçitit. Gjithashtu një ngërç në gjallërimin e ekonomisë mbeten edhe ritmet e rritjes së kredisë të cilat janë ritur vetëm me 1.7% me bazë vjetore për periudhën janar-shkurt.Arsyeja kryesore, sipas Bankës së Shqipërisë, lidhet me kërkesën e dobët nga bizneset e konsumatorët, por edhe nga sjellja e Bankave, të cilat kanë shtrënguar standardet e kredidhënies. Ndërkohë që ekspertët e BSH-së shprehen se kriza ekonomike ka shkaktuar një ngrirje të tregut të punës.Që prej një viti sipas të dhënave vihet re se nuk ka pasur as rritje as ulje të numrit të të punësuarve. E megjithatë në krahasim me një vit më parë ka një ndryshim të nivelit të papunëve që lëviz nga 13.2% gjatë 2011 në 12.8% gjatë vitit që lamë pas. Ky ndryshim sipas drejtorit të politikave monetare në BSH nuk tregon një përmirësim të nivelit pasi ky ndryshim mund të vij edhe prej mënyrës së përllogaritjes.Po mesa duket bujqësia është parë si barkë shpëtimi në këtë kohë krize ekonomike.Ky është sektori që ka pasur rritjen më të madhe të numrit të të punësuarve gjatë këtij viti.Edhe për vitin 2013 Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të ngadaltë ekonomike, ndërkohë që priten edhe efektet që do të sjellë paketa fiskale e miratuar vetëm pak kohë më parë.