Gjimnastrada mbarëkombëtare, Basha: Bashkia do vazhdojë të mbështesë aktivitete të tilla

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka përshëndetur sot manifestimin artistiko-sportiv mbarëkombëtar që po mbahet në Tiranë, me moton “E duam Shqipërinë“. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë mbi 2000 gjimnastë, të ndarë në 35 ekipe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj.Kryebashkiaku Basha u ka uruar suksese, duke i konsideruar ata më të mirët në botë, sikundër ka shprehur angazhimin e tij për të mbështetur gjithnjë e më shumë aktivitete mbarëkombëtare për të gjithë grupmoshat.“Gjimnastradës mbarëkombëtare e të gjithë pjesëmarrësve në këtë Gjimnastradë, u sjell përshëndetjet më entuziaste të qytetit të Tiranës dhe Bashkisë së Tiranës. Ngado nga keni ardhur, nga Shkodra, Elbasani apo Vlora, nga Korça, Kukësi apo Tropoja, nga Prishtina, Podujeva, Mitrovica apo Tetova, ju jeni më të mirët, më të bukurit e të zgjuarit e Evropës dhe mbarë botës. Sot, pas kësaj konkurrence të bukur do të përzgjidhni edhe fituesit e çmimeve, por kushdo që sheh këtë shfaqje, prindërit tuaj, shokët tuaj, motrat e vëllezërit tuaj thonë njëzëri: “bijt e shqipes janë më të mirët në botë” – u shpreh Basha.Të rinjtë nga 6 deri në 22 vjeç janë prezantuar me dance aerobike, dance modern, folklor dance, dance klasik, hip hop.