Nishani-Ahmetit: Progresi në Kosovë nuk duhet të pengohet nga lufta politike
Lufta politike nuk duhet të pengojë progresin e bërë deri më tani në shtetin e Kosovës.Kështu është deklaruar Presidenti Nishani gjatë bashkëbisedimit me kreun e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të cilin e priti në një takim në Presidencë.Nishani: “Trajtimi i çështjeve shumë madhore për të ardhmen e Kosovës, si ato të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe të demarkacionit kufitar me vendet fqinje, duhet të trajtohen nga ekspertët e të zgjidhen me maturi politike e qasje të përshtatshme juridike.”Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu progresin e bërë nga Kosova që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duke evidentuar në mënyrë të veçantë intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve në të gjitha nivelet.Nishani e garantoi zotin Ahmeti për angazhimin e Tij personal, si dhe të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar në mbështetje të Republikës së Kosovës në të gjitha hapat e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.Nishani përshëndeti edhe rolin personal të zotit Ahmeti në drejtimin e Komunës së Prishtinës si dhe vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tij serioz në përmirësimin e përditshëm të jetës së qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës.Ahmeti nga ana e tij e informoi Presidentin Nishani mbi praktikat anti-korrupsion të instaluara në Komunën e Prishtinës, si dhe mbi këndvështrimin e tij dhe të forcës politike që përfaqëson mbi zhvillimet dhe klimën politike në Kosovë.