Gjobat për kasat, Drejtoria e Apelimit rrëzon penalitetet për profesionet e lira

Profesionet e lira të gjobitura për mungesë të kasës fiskale, teksa sipas ligjit të gjitha transaksionet i kryejnë me bankë, kanë fituar të drejtën në Drejtorinë e Apelimit në Tatime. Ekspertët kontabël deklarojnë se për të gjitha këto raste, gjobat janë shfuqizuar, gjë që dëshmon për abuzimet e bëra në terren nga inspektorët tatimorë gjatë fazës së parë të aksionit anti-informalitet.Një pjesë e profesioneve të lira, që të gjitha transaksionet sipas ligjit i kryejnë me bankë dhe që u gjobitën në mënyrë të padrejtë nga tatimet për mungesë të kasës fiskale në kuadër të nismës anti- informalitet, tashmë po fitojnë të drejtën e tyre.Drejtoria e Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka rrëzuar gjobat e vendosura nga inspektorët tatimorë, duke i dhënë të drejtë biznesit.Ndërkaq burime zyrtare nga tatimet bëjnë të ditur se gjobat e vendosura shqyrtohen rast pas rasti në Drejtorinë e Apelimit, ku jepen edhe vendimet përkatëse.Bujar Bendo: Bazuar në ligj gjithë subjektet që u kanalizuan në atë lloj fushatë që u bë në shtator të 2015, secili individualisht ka filluar dhe ka kërkuar të apelojë, pra ka ndjekur rrugën ligjore.Konstatimi është që nga Apeli pothuajse janë falur terësisht. Profesionet e lira përjashtimisht, por dhe të tjerët janë profesione që nuk shërbejnë për publikun. Janë profesione që shërbejnë për subjekte të regjistruara dhe shërbime të regjistruara në tatime. Në shumicën e rasteve këta u penalizuan padrejtësisht për arsye se të gjithë veprimet, transaksionet i bëjnë nëpërmjet llogarisë bankare dhe nuk kanë pasur nevojë të kenë një kasë.Rrëzimi në Drejtorinë e Apelimit i gjobave të vendosura nga tatimorët në terren për profesionet e lira dëshmon për abuzimet e bëra në fazën e parë të aksionit anti-informalitet.Neni 55 i ligjit për proçedurat tatimore përcakton se tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor.Në rastin kur të gjitha veprimet kryhen me bankë, pajisja me kasë fiskale është e panevojshme.