Meta: Do mbështesim biznesin për të rritur numrin e të punësuarve

Kryetari i LSI-së,  Ilir Meta ka deklaruar se biznesi ka nevojë për një ndihmë më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë pasi në këtë në mënyrë do të rritej numri i të punësuarve.Gjatë një vizite në një fabrikë prodhimi mobiljesh në qytetin e Kavajës,  Meta u shpreh se është e rëndësishme të ketë sa më shumë sipërmarrje të tilla për të shtuar prodhimin vendas dhe për të eksportuar, ndërkohë që e vuri theksin te mbështetja për formimin profesional të punonjësve.Gjithashtu, Meta u ndal te domosdoshmëria për krijimin e parqeve industriale dhe zonave ekonomike, duke krijuar lehtësira infrastrukturore për investitorët e huaj. Ai kërkoi që aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i jepet një nxitje të madhe prodhimit vendas.“Mendoj se ky rast, është një rast suksesi që kërkon mbështetje dhe promovim për t’u zgjeruar dhe njëkohësisht për t’u ndjekur nga shumë biznese dhe biznesmenë të tjerë. Është e domosdoshme sidomos krijimi i parqeve të reja industriale dhe i zonave të tjera ekonomike, ku aktivitete të tilla të karakterit prodhues të përjashtohen nga taksat dhe tatimet të paktën për 5 vjet në mënyrë që t’i japim një nxitje të madhe prodhimit në vend por të krijojmë të gjitha ato lehtësirat infrastrukturore, të cila tërheqin më shumë investitorë të huaj dhe investimet e huaja në zhvillimin e ekonomisë sonë”, u shpreh Lideri i LSI-së.Në fund,  Meta tha se LSI ka një politikë për të ndihmuar zbritjen e shpenzimeve dhe kostove për çdo vend të ri pune që do të shtohet, teksa theksoi se sipërmarrjet përbëjnë baza për një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike të vendit.“Ne kemi edhe një politikë tjetër për të ndihmuar zbritjen e shpenzimeve dhe kostove për çdo vend të ri pune që do të shtohet. Kështu që unë iu përgëzoj për punën që keni bërë dhe jam i bindur se do të bëjmë shumë më tepër në mbështetje të këtyre aktiviteteve. Sepse këto janë baza për rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë”, përfundoi Meta.