PS: Borxhi publik është rritur, modeli i qeverisë i shteruar

Partia Socialiste ka vijuar fushatën denoncuese për ato që ajo i quan dështime të qeverisë.  Në një konferencë për shtyp, Ilir Beqja theksoi se borxhi public është rritur dhe po kështu edhe papunësia në vend.“Borxhi publik është rritur edhe rreth 300 milionë dollarë më shumë në 3 muajt e parë të vitit. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë. Shtohet me 140 mijë dollarë çdo orë që Saliu drejton qeverinë dhe Ridvani financat publike. Në 31 mars 2013, borxhi publik arriti 8,6 miliardë dollarë. Borxhi rritet, por ekonomia ka ndalur. Borxhi rritet, por papunësia nuk ulet. Borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet.Borxhi rritet, por edhe analfabetizmi funksional rritet. Borxhi rritet, por sistemi shëndetësor rrënohet”, thotë Ilir Beqja.Sipas tij, modeli ekonomik i qeverisë është i shteruar pasi borxhi public po rëndon mbi për qytetarët.“Prandaj duhet një model i ri ekonomik. Prandaj duhet rilindje edhe për ekonominë, edhe për administrimin e financave publike. Ne jemi gati ta bëjmë realitet. Me programin tonë Për një Rilindje Shqiptare, me skuadrën fituese të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Me Edi Ramën kryeministër. Në 23 qershor 2013”, tha Beqja.