“Tirana nuk e voton më”. Berisha ironizon: Rama në Vlorë me kryetar Koçon
Kryeministri Berisha ka sulmuar sot kreun e PS-së Edi Rama në lidhje me kandidimin e tij në qarkun e Vlorës.Nga Orikumi ku inaguroi fillimin e punimeve për impiantin e ujërave të zeza, kryeministri Berisha theksoi se kryesocialisti Rama duhet të kandidonte në Tiranë pasi atje ndodhet selia e partisë dhe jo në Vlorë.“Nuk dua të ndërhyjë në punët e brendshme të Partisë Socialiste por kandidimi i Koço Kokëdhimës në Vlorë është i pafalshëm.Nuk e solli Rama në Vlorë Koço Kokëdhimën, por Koço Ramën pasi ai është kryetari i Ramës” tha Berisha.Pas Orikumit, kryeministri Berisha vizitoi një biznes fason në Vlorë, ku premtoi se qeveria do të vijojë me reformat për të përmirësuar më tej klimën e biznesit.Shefi i qeverisë gjithashtu ka sulmuar edhe opozitën duke theksuar se alternative e saj është ajo e taksave të larta."Jam këtu për t`ju dhënë fjalën se qeveria me paketën e re fiskale nuk do ndalet por do studiojë me lupë çdo segment të veprimtarisë suaj për ta lehtësuar atë gjithnjë e më shumë. Kjo është alternativa jonë që ka bërë që 4 vitet e fundit kjo Shqipëri që kundërshtarët tanë e shajnë çdo ditë të arrijë të rrisë investimet e huaja. Por një re e zezë në qiellin e biznesit shqiptar po endet dhe kjo është reja e taksave të larta. Ata që premtojnë taksa të larta ata premtojnë mbyllje të fabrikave, largim të investitorëve, rënie të investimeve, ata premtojnë rrënim të vendeve të punës" theksoi Berisha.Berisha gjithashtu bëri thirrje që në 23 qershor shqiptarët të votojnë për Partinë Demokratike si alternative më e mirë dhe jo për bllokuesit e integrimit."Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe unë ju bëj thirrje ju të ndaleni mes dy alternativave, alternativës e cila bën gjithçka për krijimin e vendeve të punës, alternativës e cila ka qëllimin kryesor lirinë e biznesit, alternativës po bën gjithçka për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse. Statusi mbahet peng se nuk do opozita të votohen 3 ligjet sepse beson se në këtë mënyrë dëmton qeverinë. Por jo ajo dëmton vendin, dëmton qytetarët, dëmton biznesin, fermerët. Asgjë s`mund të ndërtohet mbi dëmtimin ndaj dhe 23 qershor të votojmë për të ardhmen tonë europiane, për standartet që ju ndërtoni me duart tuaja" tha kryeministri.