Dogjani betejë për thithjen e elektoratit të majtë: Rama, njeri me dy fytyra
Dogjani ka falenderuar liderin e PD për mundësinë, sic tha ai, për tu shërbyer qytetarëve shqiptarë.
“E shoh një mundësi shumë të madhe për të përfaqësuar qytetarët shqiptarë dhe për të vazhduar kontributin tim politik. Nuk e shoh si interes personal, por një mundësi për tu shërbyer qytetarëve shqiptarë. Na e dha këtë mundësi ndryshe nga lideri i opozitës, është për të ardhur keq që qyetarët kanë një lider opozite që nuk vlerëson kontributet e njerëzve. Nuk mendon të vijë në pushtet për tu shërbyer njerëzve, por të zënë karrigen e Kryeministrit. Unë do kandidoj në Tiranë, sidomos në zonën e Bathores, Kamzës, Laknasit, Paskuqanit, zona të cilat kanë nevojë për shumë gjëra dhe pse është investuar shumë. Do vazhdoj të kontribuoj për këto njerëz” u shpreh Dogjani.
Ende nën emocionet e largimit nga PS, Dogjani theksoi se kalimi në kampin tjetër nuk e bën asgjë më shumë apo më pak nga politikani që ka qenë. Ndërkaq ai ka shuar hamendësimet se lufta e tij brenda kampit rozë po përgatiste infrastrukturën për tu bërë pjesë e listave të PD, duke dhënë dhe argumentat e tij lidhur me votën pro mazhorancës në Kuvend si në votimin e Ministrave të rinj ashtu edhe për anëtarët e KQZ.
“Mbaj mend kohën e regjimit kur përdoreshin këto termat tradhëti, armiq. Më vjen keq që sot nga një lider i një force të madhe politike përdoren këto fjalë. Vërtet kam kaluar në PD me qëllimin të mos ndryshoj, duke mbrojtur parimet, vlerat e demokracisë unë mbetem ai që kam qenë. Unë kam një histori timen në PS, një histori që kam 2 vjet që jam përplasur me liderin e PS pikërisht për këto parime dhe vlera pa menduar se në një moment mazhoranca do kishte nevojë për votën time. Gjithsesi kur je i pavaruar do të thotë që s’je me asnjë parti, çka do të thotë se votën time e kam përdorur ashtu siç kam gjykuar. Sa i përket anëtarëve të KQZ kam qenë i bindur, pasi kodi ka përcaktuar qartë balancat politikë. Pra asnjë veprim imi nuk është bërë që unë të përfitoj dhe të futem në listat e PD. Nuk jam pishman, falenderoj Kryeministrin që ma dha këtë mundësi. Unë vi në PD me shumë vota nga e majta edhe në Kukës dhe në Tiranë. Me veprimet që bëri mbrëmë Rama paraqiti 1% të figurës, është njeri me maskë, ndërsa Berisha është ai njeri sic e sheh. Në 21 janar u vranë katër persona për shkak të korrupsionit dhe sot ai bën koalicion me LSI. Kemi të bëjmë me një lider që ai e sheh PS jo si forcë për të shkuar përpara por si një pengesë në rrugën e tij” tha më tej ai.
Dogjani ka ndarë keqardhjen edhe lidhur me lënien jashtë të figurave të rëndësishme të PS për garën e zgjedhjeve të 23 qershorit, ndërsa ka ftuar të gjithë elektoratin e majtë në Vlorë të votojnë deputetin e pavarur Arben Malaj.
“Si mund të hiqen deputetët si Malaj, Gjoni, Bello, Isaraj që nuk ishin konsumuar, kanë dhënë kontribut maksimal në opozitë. Jo vetëm Nano por kushdo socialist i ndershëm dhe i vërtetë do ti bëja thirrje të mbështesin Arben Malaj, ka qenë kritik jo për interesa të tij personale dhe nëse nuk do ishte kritik sot do ishte në listat e PS. Janë hequr kandidatët që e kanë kundërshtuar kryetarin e partisë dhe kjo është arsyeja që i ka hequr. Ai po lufton për një kauzë, që mos të ozurpohet PS, të mos mbeten në dorën e një individi të gjitha vendimet” përfundoi Dogjani.