BDI ofensivë diplomatike, analistët: Po synon të marrë përgjegjësi shtetëror

Ofensiva diplomatike e BDI-së për përshpejtimin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, përveç përcjelljes së vullnetit të shqiptarëve para faktorit ndërkombëtar, nga analistët shihet edhe si presion ndaj partnerit të koalicionit VMRO DPMNE.Duke komentuar vizitën e delegacionit të lartë të BDI’së në SHBA, të udhëhequr nga lideri Ali Ahmeti, dhe të zëvendëskryeministrit për Çështje Europiane, Fatmir Besimit, në Athinë, analistët thonë se BDI më në fund po merr përgjegjësinë dhe guximin që të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së emrit.“Verdikti që po jepet nga shqiptarët, në një mënyrë po e rrit edhe përgjegjësinë e BDI’së për të gjetur forma dhe rrugë që i debllokojnë integrimet euroatlantike, por edhe që vendi definitivisht të gjendet në NATO dhe t’i fillojë bisedimet me BE-në. BDI-ja nuk është indiferente ndaj çështjeve shtetërore, por edhe që shkojnë në interes të qytetarëve shqiptarë. Faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA, e dinë se lideri i BDI’së ka mundësi që të bëjë presion më të madh ndaj kryeministrit”, pohon analisti Ismet Ramadani.Analistja maqedone, Malinka Jordanova, ndërkaq vlerëson se vizitat e Ahmetit në SHBA dhe të Besimit në Athinë janë përpjekje të sinkronizuara të BDI-së për dhënien e kontributit të saj eurointegrimeve, për të cilat partia e Ahmetit mban përgjegjësi si bartëse e resorëve kryesore integruese në Qeveri.“Sigurisht që bëhet fjalë për tentim të sinkronizuar, pra jo për presion por për një tentim që të veprohet në drejtim të zgjidhjes sa më të shpejtë të emrit, përmes partnerit të koalicionit BDI. BDI’ja ka përgjegjësi pasi ka resorin e euro-integrimeve, andaj edhe s’mund t’i ikë përgjegjësisë. Sidoqoftë, ky angazhim është pozitiv. Por, duhet të kemi parasysh se çelësi i zgjidhjes është në dorën e Gruevskit", shprehet Jordanova.Nga ana tjetër, Mersel Bilalli vlerëson se marrja e kësaj përgjegjësie diplomatike nga BDI vjen si rezultat i pasivitetit të VMRO DPMNE-së lidhur me çështjen e emrit dhe me progresin në euro-integrime.“Mendoj se pas shumë eskivazheve për vite me radhë për zgjidhjen e çështjes së emrit, duket sikur në BDI është thelluar bindja se VMRO çështjen e emrit e shfrytëzon vetëm si pretekst për eliminimin e agjendës euroatlantike. Se kjo është ashtu si dëshmi mund të shërbejnë edhe dy faktet më të reja; e para, deklarata e para disa ditëve e ministrit të Jashtëm Popovski, se nuk është e nevojshme të kemi fqinjësi të mirë me Bullgarinë; dhe e dyta, satanizimi i SHBA’ve, sidomos pas Raportit të Departamentit të Shtetit. Mendoj se kjo është një tentativë, shpresoj e fundit, që të ushtrohet presion ndaj VMRO’së dhe Gruevskit”, thekson Bilalli.Sipas të tre analistëve, me kalimin e kohës presioni i BDI-së ndaj partnerit maqedon në koalicion do të rritet, dhe do të manifestohet edhe në forma të tjera.