Brukseli: Në fillim zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, pastaj tema të tjera

Edhe pse akoma nuk po japin shenja se duan të nisin zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën për veriun, zyrtarët e Beogradit tashmë kanë shprehur dëshirën për të rinisur me bisedime për tema të tjera.Mediat serbe duke cituar zyrtarët, të cilët thonë se temat që ata duan t’i bisedojnë sa më shpejt që është e mundur, janë furnizimi me energji, statusi i hidrocentralit të Gazivodës dhe sistemi i Ibër–Lepenc.Por zyrtarë nga Brukseli, thonë se për të nisur bisedimet për tema të tjera, fillimisht duhet të nisë zbatimi i marrëveshjes aktuale, për veriun që është arritur më 19 prill.Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton, ndërmjetësueses së bisedimeve, duke mos dashur t’i komentojë temat e përmendura nga mediat serbe, tha se për momentin fokusi është tek implementimi i marrëveshjes së fundit.Sipas saj, dy ekipet e grupeve për implementim pritet të takohen në Bruksel javën e ardhshme. “Fokusi për momentin është tek implementimi i marrëveshjes së arritur në prill dhe unë pres që ekipet e grupit implementues nga Beogradi dhe Prishtina do të takohen sërish në Bruksel, javën e ardhshme”, tha Kocijançiç.