Kosovë, arrestohet i shumëkërkuari Naser Kelmendi

Naser Kelmendi, kosovari  më i rrezikshëm në  Evropë ka rënë në pranga të policisë së Kosovës.  Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani  ka konfirmuar për mediat se Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit.Me origjinë kosovare dhe me nënshtetësi të Bosnjës, biznesmeni i përfshirë në marrëdhëniet politike  në shumë vende të rajonit kohë më parë nga administrata e presidentit amerikan Barak Obama u  vu në listën e zezë.Përkrah emrit të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah, Kelmendi llogaritet si personi më i rrezikshëm në Evropë për interesat amerikanë.Banka Federale e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të tij në Mal të Zi.  Në Bosnjë janë mirë të njohur edhe tre djemtë e Naser Kelmendit  Elvisi, Liridoni dhe Besniku.Në vitet e fundit, së bashku me babanë e tyre, në Prokurorinë e Kantonit të Sarajevës janë grumbulluar disa kallëzime penale  të cilat kanë të bëjnë me vrasje, tentim-vrasje dhe sjellje të dhunshme. Që nga viti 2009, mediat kanë shkruar hapur se Kelmendi është njëri nga tregtarët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, por ai vetë e ka mohuar fuqishëm.Policia e Serbisë e ka cilësuar si organizator dhe financues kryesor të trafikut të heroinës, që nga Turqia dhe Shqipëria arrin në Pejë dhe më pastaj, përmes Rozhajës, në Novi Pazar dhe nga aty në Evropën Perëndimore.