Serbët e Kosovës drejt pavarësisë? Akti ekstrem kundër marrëveshjes Thaçi-Daçiç
Serbët e katër komunave veriore të Kosovës mund të hedhin një tjetër hap ekstrem për të mos pranuar legjitimitetin e qeverisë së Prishtinës. Mediat kosovare raportojnë se ata po shqyrtojnë mundësinë e shpalljes së pavarësisë së territorit ku janë shumicë. Gazeta Ekspress, e cila ka botuar së pari lajmin, u referohet burimeve brenda Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.Vendimi i mundshëm i serbëve të kësaj pjesë të Kosovës vjen si pasojë e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daiçiç. Ekspress shkruan se akti mund të ndërmerret në ditët në vijim, pasi është planifikuar për vite me radhë. Një zyrtar kosovar i Shërbimeve Inteligjente ka thënë nën kushtet e anonimitetit se"shpallja e pavarësisë nga serbet në veri të Kosovës mund të ndodhë edhe para takimit mes kryeministrave Thaçi e Daçiç për nënshkrimin e dokumentit implementues të marrëveshjes Kosovë-Serbi"."Ka vite që janë duke u bërë gati për këtë, të gjithë e dimë... Ndërsa muajve të fundit përpjekjet janë intensifikuar dukshëm, sidomos pasi Serbia u kërkoi atyre t'i kthejnë sytë kah Prishtina", citon gazeta. Mes zyrtarëve kosovarë ka reaguar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thënë gazetës se çdo veprim i tillë do të trajtohet si jolegal."Ne nuk kemi informata të tilla dhe çdo veprim i tillë apo i ngjashëm është jolegal dhe i tillë do të trajtohet", ka thënë Kuçi.Gazeta shkruan se "Shpallja e pavarësisë së njëanshme, shihet si mundësia e vetme e serbëve radikalë që të arrihet qëllimi i ndarjes së Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel".