Berisha dhe Basha vizitë në familjen Hajdari, Kryeministri: Azemi, kontribut për lirinë e shqiptarëve

Në Ditën e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha, vizitoi familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe të Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha.Kryeministri kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme të Lëvizjes së Dhjetorit '90-të si dhe rolin vendimtar të Azem Hajdarit në të."Në histori sa më shumë të hulumtohet, aq më shumë do të pohohet se ato që ka bërë Azem Hajdari për lirinë e shqiptarëve, ato ditë dhjetori të vitit '90-të, nuk i ka bërë kush. Sepse ajo ishte një përballje më e pabarabarta, më e zbuluara, më e hapura. Një përballje që u fitua. Unë kam bindjen se vepra, kontributi i tij do të shndrisë e shkëlqejë në altarin e lirisë së shqiptarëve," u shpreh Kryeministri.Më pas, kreu i qeverise vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha, Komandant-pilot i Regjimentit të Bazës Ajrore të Rinasit, i rënë në krye të detyrës." Sot, çdo ndjenjë e mirë, e tërë dashuria e respekti u takon të rënëve për atdhe. Idriz Hoxha qëndron në krye të atyre burrave e grave, djemve e vajzave që u flijuan në emër të detyrës, të dinjitetit. Erdha sot të shpreh nderimin në emër të qeverisë," tha Berisha.Po ashtu kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka vizituar familjen e dëshmorit Azem Hajdari në këtë ditë të përkujtimit të dëshmorëve. Më tej vizita e tij vijoi në familjet e heronjve Bedri Myslim Karapici, i cili humbi jetën në moshën 20- vjeçare dhe familjes së Spartak Deliut, i vrarë nga policia më 6 mars 1991, vetëm 15 vjeç, pas një proteste kundër regjimit komunist si dhe në familjen e Qerim Alimehmetit.Në ditën e dëshmorëve Basha vlerësoi kurajon me të cilën qytetarët shqiptarë pavarësisht moshës së tyre qëndruan dhe ranë heroikisht kundër pushtuesve dhe regjimit komunist në Shqipëri."Nderim dhe respekt përjetë, heronjve të kombit shqiptar!"- u shpreh Kryebashkiaku.