Homazhe për Selman Lenën, Berisha: Akt kriminal, ligji do ti japë përgjigjen e merituar

Miq, shokë, kolegë, përfaqësues të lartë të policisë së shtetit kanë zhvilluar sot homazhe në nder të efektivit të policisë Selman Lena i cili humbi jetën në krye të detyrës.Homazhet për "Dëshmorin e Atdheut" Selman Lena  janë zhvilluar në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit ndërsa më pas trupi i pajetë i tij është përcjellë për në banesën e fundit.Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri Sali Berisha i cili ka theksuar se ligji do t`i japë përgjigjen e merituar këtij akti kriminal dhe të rëndë.Ai shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve, ndërsa shtoi se, efektivat e policisë kanë mbështetjen më të fuqishme të qeverisë shqiptare.Berisha po ashtu uroi shërim të shpejtë të kolegut të të ndjerit, Preng Lleshi, i cili është në gjendje të rëndë në spital."U shpreh ngushëllimet e mia, dhimbjen, pikëllimin, për rënien në krye të detyrës të Selman Lenës, këtij inspektori të shkëlqyer të efektivave tona të rendit, këtij prindi shembullor, qytetari të mrekullueshëm e biri të shquar të një familjeje, por edhe të vendi. Lutem sëbashku me ta që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar. Sikundër kam besimin më të madh se ligji do të japë përgjigjen e merituar ndaj këtij akti kriminal. Unë gjithashtu uroj që shoku i tij, instruktori i policisë Preng Lleshi, i cili ndodhet në gjendje shumë të rëndë, të përmirësohet e shërohet. Shpreh në emër të qeverisë, mbështetjen më të fuqishme ndaj efektivave të Policisë së Shtetit, shpreh besimin tim të madh se asgjë nuk do t’i përkulë ata, në përmbushje e detyrimeve dhe të misionit të  tyre të madh ligjor. Edhe një herë ngushëllime!" u shpreh kryeministri. Ngjarja20130505-090138Një polic i vdekur dhe një tjetër i plagosur në gjëndje kritike për jetën. Ky është bilanci i një aksidenti të rëndë që ka ndodhur mbrëmjën e shkuar rreth orës 23:30 në hyrje të Kamzës, në Tiranë, ku dy efektivet e policisë ishin në shërbim.Dy efektivët e komisariatit numër 5 janë përplasur nga një makinë e tipit “BMW X6″ me targa greke, e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.Për pasojë ka ndërruar jetë efektivi i policisë Selman Lena ndërsa është plagosur efektivi tjetër i komisariatit nr.5 Preng Lleshi cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak.Pak minuta pas ngjarjes është gjetur e braktisur në zonën e Laknasit makina e tipit “BMV X6″ që shkaktoi aksidentin ndërsa rreth 4 orë pas ngjarjes policia ka mundur të arrestojë  në vendin e quajtur ‘Katër Rrugëve të Shijakut’ në Durrës edhe autorin e aksidentit i cili është 37-vjeçari Edmir Koleci është proceduar për vepra të ndryshme penale.Ndërkohë, Policia e Kryeqytetit vendosi mbrëmë edhe shpërblimin prej 10 milionë lekë të vjetra për cilindo që do të ofronte informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes.